Irlanda Veriore legalizon abortin dhe martesat e gjinisë së njëjtë

14:26 | 22 Tetor 2019
Arbresh Info

Ligjet e rrepta të Irlandës Veriore kundër abortit dhe martesës mes personave të gjinisë së njëjtë u shfuqizuan në mesnatën e së hënës. Qeveria në Londër i kishte thënë afat Irlandës Veriore që deri më 21 tetor të vendosë për ndryshimin e këtyre ligjeve ose ato do të ndryshoheshin drejtpërdrejt nga Londra.

Aktivistët për të drejtat e grave dhe të personave të komunitetit LGBT u mblodhën para ndërtesës së kuvendit të Irlandës Veriore për t’i pritur minutat e fundit të ditës së hënë dhe për ta festuar shfuqizimin e këtyre ligjeve.

Shumë prej tyre postuan video në rrjetet sociale duke i numëruar sekondat e fundit. Një vajzë 24 vjeçe tha: “Jam shumë e lumtur që më në fund shoqet dhe koleget e mia mund të martohen pa u konsideruar vepra e tyre si krim”.

Megjithatë, kryetarja e Unionit Demokratik, Arlene Foster, nuk ishte e kënaqur me shfuqizimin e ligjeve. “Kjo është një ditë shumë pikëlluese. E di se disa njerëz do të festojnë, por unë u them atyre që të mendojnë për ne që besojmë se kjo është fyerje ndaj dinjitetit njerëzor”, tha ajo.

Pavarësisht se aborti ishte i legalizuar në Britani që nga viti 1967, ky rregull nuk ka vlejtur për Irlandën Veriore, ku një gjë e tillë ndalohej me një ligj të miratuar në vitin 1861, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme