Propaganda e rilindjes, e cila një vit më parë u rek të na mbushte mendjen se negociatat ishin hapur, tani po stërmundohet, sërish, të gjejë alibitë se pse dështuam në to. Në qendër të saj është vënë “armiku Makron”, presidenti francez që na paskësh përdorur si mish për top për interesat e tij.
Që prej të premtes së shkuar, kur Edi Ramës i’u ndez për të tretën herë me radhë semafori i kuq, një luzmë terroristesh të fjalës, po merren edhe me moshën e gruas së presidentit francez, po evokojnë “urrejtjen historike” të Parisit ndaj nesh, po e shesin Shqipërinë si viktimë kolaterale të një politike me qëllime krejt të tjera. Me synimin e thjeshtë që të shmangin çdo përgjegjësi nga banda kleptokratike që sundon në Tiranë, ata po fabrikojnë një sërë mashtrimesh që duhen çmontuar një e nga një.
GENJESHTRA E PARE: Vetëm Makroni na tha “Jo”.
Ky pohim nuk është i vërtetë. Në konferencën e tij për shtyp, presidenti francez përmendi gati gjysmën e vendeve anëtare që nuk mendonin për ne njësoj si për Maqedoninë. Ai pranoi se për fqinjët tanë qenë pro një shumicë dërrmuese shtetesh, gjë që nuk ndodhi për Shqipërinë. Së paku Holanda, Danimarka, Spanja i kishin bërë të ditura me kohë rezervat e tyre. Pra do të mjaftonte dhe vetoja e njërit prej këtyre shteteve që ne të mbeteshim jashtë. Por ky është një fakt që lihet si padashje në harresë, për të mos parë në sy të vërtetën, se dështimet tona të brendshme na diferencuan edhe nga Maqedonia. Prandaj na duhet “armiku” i ri Makron.
GENJESHTRA E DYTE: Makron na përdori për politikë të brendshme
Nuk ka akuzë më qesharake sesa kjo. Po ti hedhësh një sy gazetave kryesore franceze, (Le Monde, Liberation, Le Figaro) që prej të premtes, pothuajse nuk gjen asnjë rresht për “djegjen” e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Aty flitet për Brexitin, armëpushimin Trump- Erdogan, por aspak për zgjerimin drejt Ballkanit perendimor. Atëhere ç’vlerë ka të instrumentalizohet një temë për të cilën askush nuk bën debat? Ç’dobi sjell të gënjesh për diçka që nuk i intereson askujt?
Propagandistët e rilindjes pretendojsë se Makron na përdori ne si mish për top për të luftuar Frontin Kombëtar të Marine Le Pen, por kush e njeh sadopak politikën franceze e kupton se sa absurde është kjo. Votuesit kokëgdhë të ekstremit të djathtë, madje dhe ata që mëtojnë të bëhen të tillë, as e kanë idenë se ç’ do të thotë hapje negociatash ose jo. Ata as i kanë shqetësim, para miliona afrikano veriorëve që janë instaluar tashmë në Francë, as shqiptarët dhe as maqedonët. Prandaj, askush nuk është aq idiot sa ta përdorë këtë problem si alibi në politikën e brendëshme të Francës. Këtë gënjeshtër e thonë vetëm ata që duan të largojnë vëmendjen nga mëkatet e Ramës.
GENJESHTRA E TRETE: Makron na përdori ne për inat të BE
Në fakt, ka një doktrinë të presidencës franceze që do të krijojë Europën e dy shpejtësive. E iniciuar që pas krizës me refugjatët që provokoi ish ministri i brendshëm italian Salvini, gjatë së cilës vendet e Europës së re (Hungaria e Polonia) nuk u treguan solidarë me anëtarët themelues, ajo e detyroi Francën të eksplorojë një mënyrë të re të funksionimit të BE. Makron e ka thënë hapur këtë dhe në kuadër të kësaj, ai, ka qenë goxha pengues edhe për vijimin me metodat e tanishme të procesit të zgjerimit.
Teza e Parisit është: fillimisht të ndryshojmë rregullat, më pas të vijojmë procesin. Por paralelisht me të, Franca ka theksuar edhe defektet e vendeve si yni për të bërë përpara. Jo vetëm azilantët, por edhe problemet me mafian, krimin, korrupsionin janë theksuar me forcë. Prandaj ta paraqesësh “JO” Franceze thjesht si një dëm kolateral të politikave Europiane është të thuash një gjysëm të vërtetë për të fshehur gjysmën tjetër, problemet tona të brendshme.
GENJESHTRA E KATERT: Azilantët, një alibi
Është e vërtetë që edhe presidenti Makron dhe kryeministri i tij Filip, e kanë përmendur disa herë çështjen e pesë mijë azilkërkuesve shqiptarë të këtij viti. Dhe në pamje të parë ky mund të jetë një ekzagjerim, në një vend ku më radikalët mendojnë se milionat e emigranteve po zhbëjnë identitetin francez. Por përpara se të merremi me këtë teprim, ne duhet ti ngrejmë një pyetje vetes? A bënim dot më shumë për këtë? A e kënaqnim dot këtë “kapriço”, franceze, që qeveria e këtij vendi na e kërkon që prej 2016?
Të gjithë ministrat e brendshëm francezë, që në kohën e Bernard Kaznëvit që erdhi të takohej enkas në Tiranë me Saimir Tahirin, ia kanë kërkuar homologëve të tyre shqiptarë këtë. Pra kjo histori ka nisur që në kohën kur Makroni ishte një këshilltar i thjeshtë i presidentit Holande dhe as që nuk e dinte se do ta përdorte këtë alibi. Ndaj në vend që të merremi me të, në më parë duhet të shqetësohemi: pse kjo hemorragji nuk nisi pasi u liberalizuan vizat, por vetëm pas viteve të para të pushtetit të Ramës?
Të përpiqesh ti shmangesh kësaj përgjigjeje duke akuzuar qarqet albanofobike, është të duash që të mbrosh ata që shkaktuan këtë fenomen.
Pra nuk është e vështirë të kuptohet se urrejtja e beftë kundër Makronit është një formë e kamufluar e atyre që, në këtë rast, nuk e shprehin dot hapur dashurinë për Ramën. Dhe për tu bindur për këtë nuk ka nevojë të lodhemi. Boll të shohim se janë po të njëjtët që na thanë një vit më parë se negociatat u hapën, po ata që tani anatemojnë presidentin francez se i pengoi ato.
Yjet e njohur të Hollywood që u zotuan se do të largohen nga...
Përurohet çerdhja në Muzeqinë të Shtimës
Rezi pyetet nëse ndihet i lodhur nga loja e tij?
Përplasje me Rovenën, Rezi ia përmend Atilla-n: E bëre shok ...
Agjencia evropiane për klimën: Mund të jetë sërish viti më i...
Limaj: 14 vjet kam kaluar në procese gjyqësore, s’ka qenë e ...