Tentuan të kryejnë sulm me autobombë, dështojnë në testin e vozitjes

09:40 | 22 Tetor 2019
Arbresh Info

Në Hamburg ka filluar sot procesi gjyqësor kundër tre irakianëve, nën dyshimin se kanë planifikuar sulm terrorist.

Dy prej tre personave që janë të moshës 23-vjeçare ishin arrestuar qysh në dhjetor të vitit të kaluar në Slezvig-Holstein në veri të Gjermani, pasi ishin përcjell vazhdimisht nga organet e sigurisë.

E arrestimi pasoi pas informacioneve se sulmi do të mund të kryhej në fund të vitit të kaluar, pasi që të dyshuarit në ato momente tashmë kishin kryer disa shpërthime eksperimentale.

Sipas prokurorit të Shtetit, dy irakianë ishin radikalizuar përmes internetit dhe kishin mbajtur kontakte me pjesëtarët e organizatës terroriste e ashtuquajtur “Shteti Islamik”.

“Qëllimi i tyre ka qenë që në sulm të vrasin sa më shumë njerëz”, thuhet në aktakuzën që rëndon mbi ata.

Pas shpërthimeve eksperimentale pajisja shpërthyese e prodhuar nga baruti që gjendej në fishekzjarrë nuk kishte fuqi të madhe shpërthyese, kështu ata kishin tentuar të gjejnë TNT dhe fitil për bomba.

Por, porosia e tyre kishte dështuar, pasi një shtetas britanik që merrej me shitjen e tyre ndërkohë është arrestuar nga organet e sigurisë.

Kështu pajisjen shpërthyese planifikonin ta vendosnin në një veturë dhe për këtë u detyruan të marrin orë mësimi për të mësuar të ngasin veturën.

Megjithatë, ata nuk u treguan të shkathtë në vozitje duke mos arritur të kalojnë testin, gjë që rezultoi edhe me kapjen e tyre. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme