Google ADS

Kosova importoi gjashtë milionë kilogramë kafe

08:52 | 22 Tetor 2019
Arbresh.info

Po cilësohet si vendi me makiatot më të mira në Evropë.

Edhe numri i kafiterive nuk është i vogël, të tilla sheh pothuajse në çdo cep të Kosovës.

E se qytetarët e shtetit më të ri në Evropë janë adhurues të kafes e tregojnë edhe statistikat e Doganës së Kosovës. Vetëm gjatë këtij viti në import të këtij produkti janë shpenzuar afër 18 milionë euro.

Sipas Doganës së Kosovës në 9 mujorin e 2019-es, janar-shtator janë shpenzuar plotë 17 milionë e 558 mijë euro në kafe.

Ndërsa sasia e kafes së importuar arrin në 6 milionë  kilogramë. E vendet nga të cilat Kosova e merr kafen janë gjithsej 34.

Nga vendi i cili njihet si prodhues më i madh i kafes në botë, Brazili është eksportuar kafe në vlerë 5 milionë e 10 mijë euro ndërsa sasia ka arritur në 2 milionë e 542 mijë kilogramë.

E nga shteti që radhitet i dyti në botë për prodhim të kafes, Kolumbia është importuar sasi dukshëm më e vogël.

Kosova nga ky vend i largët ka marrë kafe në vlerë afër 40 mijë euro ose saktësisht 39 mijë e 960 euro ndërsa sasia shkon në 10 mijë e 795 kilogramë.

Edhe nga shtete fqinje është importuar kafe, nga Shqipëri janë importuar kafe në sasi 52 mijë kilogramë ndërsa vlera arrin në 317 mijë e 577 euro.

Nga Maqedonia e Veriut është importuar gjithashtu sasi e ngjashme 82 mijë kilogramë në vlerë 416 mijë euro.

E vendet tjera nga të cilat ka ardhë kafeja në Kosovë janë Zvicra, Kina, Gjermania, Franca, Turqia etj.

Ndryshe sasi e ngjashme e kafes ishte importuar edhe në periudhën e njëjte të vitit që lamë pas.

Në 7.6 milionë kilogramë kishte shkuar sasia ndërsa vlera në 18.2 milionë euro.

Vite më parë  Yahoo, kishte publikuar një artikull në të cilin kishte  vlerësuar se makiato më e mirë në botë nuk bëhet në Itali, por bëhet në Kosovë.

Në të thuhej se italianët kur shkojnë për vizitë në Kosovë, ‘çmenden’ nga makiatot kosovare.

“Pavarësisht se ku shkon në Kosovë, do të gjeni makiato shumë më të mirë se të Italianëve”, i thotë një kamarier në hotelin “Çarshia e Jupave” në Gjakovë autores së shkrimit për Yahoo Travel.

“Italianët bëjnë vetëm qumësht dhe kafe. Ne e ziejmë kafen, e bëjmë krem dhe i vendosim sipër qumështit”, thotë më tej kamarieri. “sinqerisht, makiatot janë tejet të shijshme.

Kokrrat e kafesë asnjëherë nuk janë të djegura, Qumështi është i ëmbël, ndërsa shkuma e kafesë është më e lehtë se sa ajri”.- shkruan Jo piazza.

Ky nuk është shkrimi i vetëm që lavdon kafen kosovare.

Pak ditë më parë në ditën ndërkombëtare të kafes ambasadori Gjerman në Kosovë, Christian Heldt, kishte ftuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas që ta vizitoj Kosovën.

Ai ndër të tjera kishte shkruar se këtu bëhet kafeja më e mirë në Evropë.

E për të pestin vit radhazi në sheshi kryesor i Prishtinës mbushet me armë të kafes dhe çajit. Kjo pasi çdo 30 shtator nis festivali i Kafesë dhe Çajit.

Ai hap dyert për të gjithë prodhuesit e këtyre dy produkteve të dhjetëra kompanive vendore dhe ndërkombëtare./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme