Protestë masive në Londër, kërkohet qëndrimi në BE

15:01 | 19 Tetor 2019
Arbresh.info

Mijëra qytetarë që janë kundër largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian kanë protestuar nëpër rrugët e Londrës në ditën kur kuvendi britanik po mban seancë për votimin e marrëveshjes së kryeministrit Johnson me BE-në për Brexit-in.

Përkrahësit e grupit të ashtuquajtur “Vota e Popullit” marshuan pranë Pallatit të Westminster-it, ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz. Në mesin e figurave që po kërkojnë referendum të ri për Brexit-in kishte politikanë, persona të famshëm dhe figura e njohur si z.Brokoli.

Policia metropolitane e Londrës u përgatit për tubimin masiv dhe është parë duke ndërhyrë për t’i ftohur gjakrat gjatë një debati të ashpër në rrugë mes një përkrahëseje të Brexit-it dhe aktivistëve që e kërkonin qëndrimin në BE.

Në një ditë historike për Britaninë, kuvendi britanik u mblodh për herë të parë nga viti 1982 në një të shtunë për të diskutuar rreth planit të kryeministrit Johnson për Brexit-it, për të cilin e mori miratimin e Brukselit.

Protestë mbajtën edhe përkrahësit e Brexit-it, por në tubimin e tyre kishte shumë më pak pjesëmarrës.

Deri të shtunën në mëngjes, më shumë se 500 mijë funte janë mbledhur për ta organizuar protestën e kundërshtarëve të Brexit-it. Më shumë se 170 autobusë me protestues nga pjesë të ndryshme të Britanisë pritet të vijnë sot në Londër për të protestuar para kuvendit britanit, shkruan “Daily Mail”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme