Javën tjetër pritet të publikohet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve

13:38 | 18 Tetor 2019
Arbresh.info

Të enjten ka nisur rinumërimi i 530 vendvotimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor të këtij viti.

Ndërsa rezultat përfundimtare pritet të publikohen brenda 7-8  ditëve.

Kështu ka bërë të ditur në një intervistë dhënë për arbresh.info koordinatori i Qendrës për Numërimin e Rezultateve (QNR), Burim Ahmetaj.

Ai ka thënë gjithashtu se deri tani janë rinumëruar 45 vendvotime.

“Jemi në procesin e rinumërimit të 530 vendvotimeve gjatë ditës se djeshme janë rinumëruar 45 vendvotime ndërsa sot janë edhe 23 në proces, janë 23 tavolina apo njësi të numërimit”, ka thënë ai.

Ahmetaj ka shtuar se për rinumërim me dy ndërrime po punojnë 130 persona staf.

“Janë dikur rreth 130 persona staf, aktualisht proceset tjera kanë përfunduar dhe po kryhet vetëm rinumërimi që punon në dy ndërrime, ndërrime i paradites deri në orën 16:00 dhe ndërrimi i pasdites deri në orën 24:00. Po llogarisim që një ndërrim t’i përfundoj 90 vendvotime dhe presim që i gjithë rinumërimi të përfundoj për 6-7 ditë”, ka shtuar ai.

E sipas koordinatorit të QNR-së ende nuk dihet nëse rinumërimi do të ndryshoj rezultatin preliminar të publikuar.

“Akoma nuk i kemi bërë krahasimet si ka qenë situata para dhe pas rinumërimit mirëpo të gjithë këta formuluar pas rinumërimit do të procedohen në bazën e të dhënave dhe të gjitha ndryshimet do të prezantohen para KQZ-së”, ka thënë ai.

Ahmetaj ka shtuar se rezultatet përfundimtare mund të publikohen pas 7 ose 8 ditëve.

“Nuk kemi afat kohor por duke llogaritur procesin e punës, rinumërimi mund të përfundoj brenda 6-7 ditëve ndërsa edhe dy ditë të tjera numërimi i votave me kusht dhe në këtë afat kohor do të mund të përgatiten rezultate në mënyrë që KQZ të publikoj ato”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë që zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend janë mbajtur më 6 tetor ndërsa erdhën pas dorëheqjes së ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.

Sipas rezultateve preliminare të publikuar nga KQZ prin Lëvizja Vetëvendosje e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Të enjten ka nisur rinumërim i 530 vendvotimeve ndërsa para saj janë rinumëruar edhe 314 vendvotime./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme