Google ADS

Trajneri i Çekisë e komenton ndeshjen kundër Kosovës

10:58 | 18 Tetor 2019
Arbresh Info

Trajneri i Kombëtares së Çekisë, Jaroslav Silhavy, beson se, nëse skuadra e tij vazhdon me paraqitje të ngjashme si kundër Malit të Zi, do të triumfojë kundër Kosovës në nëntor dhe do ta arrijë kualifikimin në EURO 2020.

Përballja mes Çekisë dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet më 14 nëntor në “Doosan Arena”, do të jetë vendimtare për fatin e të dyja Kombëtareve në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020

Çekia radhitet në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A, me një pikë më shumë të fituar sesa Kosova, përderisa Anglia është lidere e grupit. Me fitore në përballjen e 14 nëntor, Çekia do ta fitonte kualifikimin në EURO 2020, ndërsa Kosova do të duhej të tentonte edhe një herë përmes play-offs të Ligës së Kombeve.

Skuadra e Silhavyt kishte siguruar fitore me rezultat 3:0 si mysafire në Mal të Zi në ndeshjen që u zhvillua në fillim të muajit shtator, ndërsa në tetor siguroi fitore të rëndësishme 2:1 kundër Anglisë, para se të mposhtej 3:2 nga Irlanda Veriore.

“Ndeshja kundër Kosovës do të jetë vendimtare. Nëse vazhdojmë me paraqitjen sikur ndaj Malit të Zi, besoj që ne do të arrijmë të kualifikohemi” ka deklaruar Silhavy.

Në anën tjetër, edhe Kosova arriti ta mposhtë Malin e Zi me rezultat 2:0 para katër ditësh, mirëpo fitorja e Çekisë kundër Anglisë ia komplikoi situatën “Dardanëve” në Grupin A.

Kosova duhet të ngrihet të paktën në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve. Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

– Kosova eliminohet nëse humb kundër Republikës Çeke.

– Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme