Google ADS

Senatori Romney kritikon vendimin e Trump për tërheqje të trupave nga veriu i Sirisë

08:20 | 18 Tetor 2019
Arbresh.info

Senatori republikan, Mitt Romney, i cili ka qenë kandidat presidencial më 2012, ka kritikuar vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump për të braktisuar aleatët kurdë në Siri, duke thënë në Senat se kjo gjë do të mbetet shenjë në historinë amerikane.

Senatori nga Utah u është bashkuar anëtarëve të tjerë të partisë së tij, të cilët po ashtu kanë kritikuar vendimin për tërheqje të trupave amerikane nga veriu i Sirisë.

Pas tërheqjes së trupave amerikane, forcat turke kanë pushtuar këtë zonë për të sulmuar kurdët sirianë, të cilët kanë luftuar bashkë me forcat e Shteteve të Bashkuara kundër luftëtarëve të grupit militant, Shteti Islamik.

Ligjvënësit demokratë dhe ata republikanë kanë cilësuar këtë veprim si “tradhti” ndaj aletëve kurdë.

Romney ka thënë se largimi i trupave ka “qëlluar në nderin amerikan”.

Ai ka thënë se shpreson që armëpushimi pesëditor do të zbatohet, mirëpo ka insistuar se një marrëveshje me Turqinë do të duhej të arrihej para tërheqjes së trupave shkruan REL.

Turqia ka nisur një fushatë me sulme tokësore dhe ajrore nëntë ditë më parë, duke thënë se dëshiron të pastrojë zonën e milicisë kurde për të krijuar një zonë të sigurt për refugjatët sirianë.

Ankaraja është pajtuar për të ndalur pjesërisht ofensivën ndaj forcave kurde, pasi nën-presidenti amerikan, Mike Pence dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo kanë biseduar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan në Ankara.

Turqia ka thënë një kohë të gjatë se luftëtarët kurdë janë një zgjatim i Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar një fushatë brenda Turqisë prej vitit 1980, dhe të cilën Ankaraja, Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme