“Mini Shengeni”, Cakaj: Heqje e barrierave kufitare dhe pengesave burokratike mes vendeve

09:11 | 17 Tetor 2019
Arbresh.info

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka deklaruar se “Mini Shengeni” brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka për qëllim heqjen e barrierave kufitare dhe burokracive për të rritur kapacitetet e tregut ekonomik.

“Ne duhet të rimendojmë hapësirën tonë ekonomike në mënyrë që të kemi një kontribut më të mirë dhe të gjerë në rajonin tonë. ‘Mini Shengen’ ka si qëllim largimin e barrierave kufitare dhe pengesave burokratike mes vendeve. Ideja ka qenë thellimi i bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në shërbim të integrimit në BE. Këtu nuk ka asnjë lidhje me krijimin e një Jugosllavie të re dhe as me zëvendësimin e procesit të integrimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Cakaj

I pyetur nëse heqja e këtyre barrierave kufitare do të ndodhë edhe mes Serbisë dhe Kosovës, Cakaj tha se ky është qëllimi përfundimtar i këtij “Mini Shengeni”, por që nuk pritet që kjo gjë të ndodhë nesër.

“Ai është një qëllim përfundimtar mes Serbisë dhe Kosovës, por që nuk mund të ndodh dot që nesër”, tha Cakaj.

Cakaj deklaroi se, si ministër i Republikës së Shqipërisë dhe si qytetar i Kosovës nuk i vjen aspak mirë që BE ende nuk ka firmosur për liberalizim vizash me Kosovën.

Cakaj tha se, “fatkeqësisht 2 milionë persona në zemër të Evropës nuk lëvizin të lirë sot në hapësirën e Bashkimit Evropian. Kosova ka plotësuar 95 kushte për liberalizuar viza dhe sërish shqiptarët e Kosovës kanë mbetur të izoluar”./ATSH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme