Zarfet nga të cilat dyshohet se u ‘helmuan’ mbi 26 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk janë larguar ende nga Ministria e Infrastrukturës. Ato po vazhdojnë të ruhen nga forcat e Policisë Speciale Operative që nga e diela kur edhe ndodhi incidenti deri sa hetimet që nisën nga ana e Prokurorisë Speciale të përfundojnë tërësisht.
Por policët nuk po i ruajnë vetëm votat e ardhura nga Serbia. Ekipe të tyre u panë edhe në klinikën infektive të QKUK-së, të cilët po kujdesen që askush të mos u afrohet dhomave ku po vazhdojnë të marrin trajtimin mjekësor 12 persona që dyshohet se pësuan helmim gjatë numërimit të këtyre votave.
Gjendja e 9 grave dhe 2 burrave gjatë së hënës ishte stabile por sipas ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së klinikës infektive, simptomat që u panë tek këta zyrtarë ishin nga më të ndryshmet. Rrezik nuk kanë as dy gratë që janë shtatzëna.
Deri më tani nuk është duke u bërë e ditur se nga çfarë materiesh ka ndodhur helmimi i 26 zyrtarëve të cilët kanë qenë duke numëruar votat e ardhur nga Serbia, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, në Qendrën e Numërimit në Prishtinë, shkruan arbresh.info.
Laureta Ulaj, zyrtare për Informim dhe Monitorim të Mediave në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka thënë për arbresh.info se mostrat për analiza do të dërgohen jashtë vendit, për ekzaminim më të detajuar.
“Mund ta konfirmojmë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, në kuadër të kësaj, mostrat për analiza do të dërgohen jashtë vendit, për ekzaminim më të detajuar”, ka thëne Laureta Ulaj, zyrtare për Informim dhe Monitorim të Mediave në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
E pyetur se ku janë dërguar mostrat për analiza dhe sa do të vonohen, ajo ka thënë se për epilogun e veprimeve në vazhdimësi, do t’ju mbajmë të informuar.
Ekspertët e sigurisë konstatojnë se rreziku nga Serbia mund të vijë edhe përmes zarfeve. Në zarfet me vota po dyshohej se ishte vendosur substanca toksike.
Pas hapjes së votave të ardhura nga Serbia, disa persona u helmuan. Instituti i Shëndetit Publik ka konstatuar se nuk ka rrezik nga ky helmimi.
Por, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, alarmon se raste të tilla mund të ndodhin edhe në institucionet e tjera shtetërore, pasi që konsideron se nuk ka siguri të mjaftueshme.
Shala për arbresh.info, deklaroi se substanca të tilla helmuese kanë mundur të vendosen nga ndonjë strukturë paralele e sigurisë në Serbi, pasi që një gjë e tillë ka ndodhur edhe në vitet e 90-ta.
Sipas Shalës rasti është i izoluar dhe përmban në vete shumë dyshime se si ka ardhur kontaminimi i atyre zarfeve.
Asnjëri nga 12 pacientët e hospitalizuar në Infektivën e QKUK’së nuk kanë sëmundje ngjitëse, ani se të njëjtit të dielën janë përballur me një reaksion teksa po i numëronin zarfet me vota që kishin ardhur nga Serbia për në Kosovë. Por ende nuk po dihet se si ka ardhur alergjia tek këta zyrtarë.
BE deklarohet për zarfet e Serbisë që bënë për spital zyrtarët e KQZ-së
Bashkimi Evropian po përcjellë nga afër zhvillimet në lidhje me zarfet që bënë për spital disa zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, i ka thënë arbresh.info se janë në pritje të zbardhjes së plotë të këtij rasit.
“Ne kemi parë raportet në lidhje me numërimin e fletëve të votimeve nga Serbia. Ne jemi në pritje të rezultatit të hetimit në vazhdim”, thotë Kocijançiq për arbresh.info.
Ajo shton se Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve në BE po monitoron nga afër situatën. Ky mision kishte qindra zyrtarë që kishte angazhuar për monitorim të zgjedhjeve nacionale të gjashtë tetorit.
Gjatë prezantimit të gjeturave, ky mision kritikoi procesin elektoral i zhvilluar në veri të vendit.
Si ndodhi ngjarja?
Të dielën në orën 09:00 të mëngjesit, në Qendrën e Verifikimit të votave kishte filluar procesi i verifikimit të votave të ardhura nga Serbia me postë për zgjedhjet e 6 tetorit. Procesi ishte i mbikëqyrur maksimalisht pasi që kishte raportime në medie se kishte parregullsi në pakot e zarfeve me vota të diasporës. Aty ishin vërejtur zarfe që nuk kanë fare të bëjnë me votim.
Megjithatë kësaj radhe zarfet e votimit kishin një tjetër problem. Në orën 11:21, ishte raportuar në mediat elektronike se procesi i numërimit është ndërprerë. Arsyeja ishte se zarfet kundërmonin. Verifikuesit kishin pësuar alergji pasi kishin prekur zarfet me votat e ardhura nga Serbia.
Ku disa prej verifikuesve iu është shfaqur alergji në fytyrë dhe duar. Plot 26 zyrtarë që për detyrë kishin numërimin e zarfeve ishin helmuar dhe ishin paraqitur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ‘Fehmi Agani’, në Prishtinë. Dy prej të helmuarve ishin gra shtatzëna.
Vlen të përmendet se në qendrën e numërimit dhe rezultateve edhe të dielën e kaluar po vazhdohej me rinumërimin e vendvotimeve për të cilat ka vendosur KQZ-ja.
“Në ora 11:58, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë lajmëruar 9 pacientë të gjinisë femërore, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intensitetit të ultë. Dy nga to kanë patur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka patur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile”, kishin deklaruar zyrtarë nga zyra e drejtorit të ShSKUK-së.
Sipas tyre pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese. Ekipa kujdestare e Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke i ofruar ndihmën e duhur mjekësore. Konsiliumi i ShSKUK dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në vazhdimësi janë duke e monitoruar gjendjen shëndetësore të pacientëve të spitalizuar.
9 prej 26 pacientëve të helmuar janë shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK’së. Këta pacientë tashmë i janë nënshtruar kontrolleve nga infektologët e QKUK-së.
“Gjendja është stabile. Kanë pasur disa skuqje. Janë nëntë persona që po trajtohen”, kishte thënë drejtori i Shërbimit Klinik dhe Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu.
E ndërkohë, me rastin ishte marr edhe policia e Kosovës. Kjo e fundit i ka nisur hetimet sipas zëdhënësit të policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
“Policia posedon informacionin e tillë, ndërsa lidhur me detaje ne ketë fazë adresohuni KQZ’së dhe autoriteteve shëndetësore. Ne po e trajtojmë rastin”, kishte thënë Hoxha.
Policia nuk ka lejuar asnjë zyrtarë apo qytetarë që t’i afrohet qendrës së votimit ku ishin helmuar zyrtarët.
I gjithë vendi ishte i izoluar ditën e diel dhe Policia ka rritur numrin e forcave policore. Helmimi ndodhi në ndërtesën e Ministrisë së Infrastrukturës, aty ku po verifikoheshin votat e serbëve.
Serbia: Rasti ishte i skenuar
E çuditërisht, zyrtarë nga shteti i Serbisë kanë deklaruar se i gjithë rasti është i inskenuar dhe kanë përfshirë edhe fituesin e zgjedhjeve të sivjetme në Kosovë në këtë skandal. Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, e ka paralajmëruar opinionin vendor e atë ndërkombëtar se ky manipulim po bëhet me qëllim që me çdo kusht në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht vullnetit të serbëve, të futen ‘serbët e Kurtit’.
Presidenti i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se gjatë ditës së diel, anëtarët e kësaj partie janë larguar nga hapësirat e Qendrës për Numërim të Votave në Prishtinë, duke shtuar se aktualisht po ndodh vjedhja e votave serbe, për ta përmbysur vullnetin zgjedhor./arbresh.info/
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte do të vizitojë...
Driloni-Edit: Nëse e fitoj çmimin, e ndaj me ty
Suhareka dhe Ferizaj kërkojnë të rikthehen te fitoret, forma...
Xheneta-Arionit: Të mëson Edi me qenë burrë
LVV i kërkon Përparim Ramës anulimin e tenderit për menaxhim...
Mbjellja e ullirit në Lushnjë, në 2024 u mbollën 9500 fidanë...