Mali i Zi, sfidë shumë e rëndësishme dhe e vështirë për Kosovën

13:08 | 14 Tetor 2019
Arbresh Info

Kombëtarja e Kosovës sonte do ta ketë përpara vetes një sfidë shumë të rëndësishme, por edhe të vështirë.

“Dardanët” do të luajnë kundër Malit të Zi prej orës 20:45 minuta në stadiumin “Fadil Vokrri”, në të cilin futbollistëve tanë nuk do t’u mungojë përkrahja e madhe e tifozëve kosovarë, raporton Gazeta Express.

Kosova me gjithë kapacitetet e saj do të kërkojë fitore në mënyrë që të mbetet seriozisht në garë për kualifikim në Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

Aktualisht grupit i prinë me 12 pikë Anglia, e cila sonte shihet favorite përballë Bullgarisë. Kurse, Cekia është e dyta me 12 pikë të tubuara prej gjashtë ndeshjeve të zhvilluara.

Ndërsa, Kosova do ta zhvillojë sonte ndeshjen e gjashtë kualifikuese dhe me një fitore eventuale do t’i afrohej në një pikë republikës çeke.

Verdhekaltrit deri më tani i kanë shënuar dy fitore, dy barazime dhe një humbje, duke shkuar në kuotën e 8 pikëve dhe po e rivalizojnë Çekinë për vendin e dytë në grup, që dërgon në Euro 2020.

Në anën tjetër, sikurse Bullgaria, ashtu edhe Mali i Zi, i kanë humbur gjasat për kualifikim, pasi kanë ngelur në dy pozitat e fundit me nga tri pikë të tubuara përmes tri barazimeve dhe tri humbjeve.

Malazezët kanë ardhur në Prishtinë për ta kërkuar fitoren e parë, por kjo nuk e shqetëson përzgjedhësin kosovar, Bernard Challandes dhe asnjërin prej futbollistëve tanë.

“Për mua s’ka ndryshuar asgjë përkundër fitores së Çekisë ndaj Anglisë. Në rregull, tani është më vështirë, por nuk mendoj për ndeshjet e radhës, jam i përqendruar vetëm te dueli me Malin e Zi. Nëse duam të vazhdojmë të ëndërrojmë, duhet të fitojmë ndeshjen e radhës kundër Malit të Zi”, ka deklaruar Challandes.

Optimist është edhe ylli kosovar, Milot Rashica.

“Normalisht se nuk do të jetë ndeshje e lehtë kjo kundër Malit të Zi, por këtu kemi përkrahjen e tifozëve dhe kemi gjasa që të fitojmë tri pikë. Deri tani kemi bërë një rrugëtim të mirë dhe çdo lojtar ka marrë një përvojë të mirë. Normal se humbja e Anglisë në Çeki na i ka vështirësuar gjërat, por qëllimi ynë është që në çdo ndeshje të hyjmë për fitore. A besojmë se mund t’i fitojmë tri ndeshjet? Normalisht se ne kemi besim shumë të madh. Jemi një grup i mirë i lojtarëve dhe besoj se gjithçka është e mundshme vetëm duhet të shkojmë ndeshje pas ndeshje”, ka thënë Rashica.

Kosova të dielën e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore për ndeshjen e sotme, e cila vjen katër ditë pas fitores prej 1:0 në miqësore ndaj Gjibraltarit.

Ndeshja e parë në mes Malit të Zi dhe Kosovës, e zhvilluar në Podgoricë, kishte përfunduar baras, 1:1. /GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme