LVV-ja dhe LDK-ja kanë para vetes vetëm një alternativë: ta bëjnë këtë vend normal apo ta lënë kështu si është.
1.
Në Kosovë, më 7 tetor, një ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, agoi një ditë e parëndomtë. Një shumicë e njerëzve që pashë, takova apo u dëgjova me ta, ende kishin vështirësi të përcaktonin çka saktësisht kishte ndodhur një ditë më parë në zgjedhjet parlamentare, në të cilat LVV-ja dhe LDK-ja, dy parti deri atëherë opozitare, fituan diçka mbi gjysmën e votave të atyre që dolën në zgjedhje. Qe e qartë se u hodh një votë për ndryshim, dhe ky ishte emërtuesi i përbashkët; qe një votë shumice kritike e dhënë për ta ndryshuar kahen.
Por ky përshkrim do të ishte i pamjaftueshëm për ta përshkruar energjinë e krijuar. Kjo ditë kishte diçka më shumë se ç’prodhon një ditë rotacioni të rëndomtë politik, ku opozita e deridjeshme mund partitë në pushtet. Kjo më shumë quhet shpresë, një ndjenjë e veçantë të cilën kosovarët e përjetuan në kthesat e mëdha historike; diçka me ngjashmëri (të afërt a largët) sikur u çliruan nga Serbia dhe diçka me ngjashmëri (të afërt a largët) si kur shpallën pavarësinë e vendit.
Si mund të gjeneronte një ndjenjë të këtillë një rotacion, ku opozita e deridjeshme fiton vota të mjaftueshme për të qenë në pushtet? Këtë e bënte për faktin e thjeshtë se nuk bëhej fjalë për rotacion politik brenda një tregu të konsoliduar politik, ku të gjithë akterët respektojnë një kod rregullash. Pra, nuk fitonte opozita gjermane, franceze, sllovene, portugeze apo estoneze dhe e çonte në opozitë pushtetin. Në Kosovë gjysmën e votave të elektoratit i morën dy parti që i përkasin, kushtimisht, modernes krahasuar me partitë që kishin qenë pjesë e një sistemi paramodern, kushtimisht feudal, të kapjes së shtetit.
Fitorja e LVV-së në veçanti (për shkak të konsistencës anti-establishment prej lindjes si lëvizje) dhe e një lidershipi të ri brenda LDK-së që ka mbajtur flamurin kundër kapjes së shtetit brenda partisë ishte në fakt një lloj shprehjeje e masës kritike në shoqëri kundër kapësve të shtetit. Qe një votë kundër tërë asaj që paraqisnin partitë e kapjes së shtetit: shpërdorimin e papenguar të parasë publike, klientelizmin dhe fodullëkun e luksit, kontrollin e policisë e gjyqësorit, degradimin e shëndetësisë dhe të arsimit në nivelet e shteteve më të pazhvilluara të botës së tretë, vendosjen e perspektivës së gruas në nivel të asaj palestineze, irakiane dhe afgane; dëmtimin e sovranitetit dhe integritetit të vendit nëpërmjet të paaftësisë negociatore në bisedimet me Serbinë.
Kur dolën për të votuar, gjysma e zgjedhësve kosovarë kishin një motiv parësor: ta çlirojnë vendin prej feudeve, të strukturave injorante për çdo gjë tjetër pos për shfrytëzimin e shtetit për nevoja të veta.
Andaj, edhe agu kolektiv i shpresës më 7 tetor.
2.
LVV-ja dhe LDK-ja me supozimin e mirëbazuar se do ta formojnë Qeverinë e ardhshme – kanë para vetes një detyrë që nuk është aspak e lehtë. Detyra mund të cilësohet me terma të ndryshëm – konsolidimi i shtetit e reformimi i tij, transformimi socio-ekonomik e të tjera të ngjashme – por në thelb ajo e ka një përshkrim: çfarë do të jetë ndryshimi, sa i thellë dhe i gjerë në shoqërinë tonë? Apo, si do të quhet ndryshimi?
Të dyja partitë tashmë kanë treguar gjatë fushatës dhe posaçërisht gjatë qëndrimit në opozitë se dinë sa thellë dhe sa gjerë ka arritur kapja e shtetit dhe kanë, çdonjëra veç e veç e mbase edhe që të dyja bashkë, ide se si të bëhet çkapja e funksioneve shtetërore prej duarve të feudeve politike-kriminale. Dhe, kështu, ndryshimi do të quhej çkapje, diçka që tashmë ka hyrë në vokabular politik pas shumë vjetësh, saktësisht aq vjet sa u desh të hynte edhe termi i parë, kapja, një proces që kishte filluar nga PDK-ja ende pa e marrë pushtetin.
Dhe këtu, LVV-ja dhe LDK-ja janë në një avantazh të madh historik, që do të duhej dhe mund ta shfrytëzonin ngase janë vënë në ballë të një lëvizjeje, e cila ia doli që të dalë fituese me vota të qytetarëve, pa ndërhyrje ndërkombëtare e demonstrata (si në Maqedoni me përgjimet e Gruevskit) dhe duke pasur kundër vetes një rrjet të thellë e të gjerë kriminal-politik në të gjitha segmentet e funksionimit të shtetit.
Si e këtillë, lëvizja për çkapje të shtetit është shembullore për vetë demokracinë në kohën kur ajo po shënon regresion në shumë pjesë të botës.
Fitorja e LVV-së dhe LDK-së mund të jetë një fitore shembullore e demokracisë.
3.
Por LVV-ja dhe LDK-ja kanë një avantazh tjetër, një të natyrshëm e brenda vetes që mund dhe duhet ta shfrytëzojnë. Ato përfaqësojnë lëvizje politike korrespondente me bashkëkohësinë evropiane. Njëra si socialdemokraci e qendrës së majtë dhe tjetra si konservatore e qendrës së djathtë – që të dyja janë parti që pos lidhjes me kontekstin evropian tashmë janë të identifikuara me mendimin politik. Këto dy parti kanë mundësi, dhe këtë e kanë dëshmuar, që të elaborojnë mendime rreth politikave shtetërore. Njeriu mund të thotë se kjo është krejtësisht e natyrshme për partitë politike në Evropë, fundja elaborimi i politikave dhe zbatimi i tyre janë arsye thelbësore e ekzistencës së partive politike. Por në kontekstin kosovar të deritanishëm, të sundimit të dhunshëm të njerëzve me mungesë të theksuar dijeje dhe kulture (politike apo tjetër), elaborimi i menduar i politikave qeveritare është kapërcim i një shkalle të lartë emancipimi. Ajo shkallë quhet modernitet, pra diçka që popujt evropianë kishin përjetuar në forma të ndryshme gjatë shekullit XX.
Moderniteti, në fakt, nuk është krejtësisht i huaj për këtë vend, dhe ai identifikohet me arsim e shëndetësi publike, me sigurime shëndetësore, me hapje të vendeve të punës dhe infrastrukturë për zhvillim. Nëse kjo ishte normale në një sistem kufizimi të drejtash njerëzore çfarë kishte Kosova gjatë shekullit të kaluar, pse të mos jetë shumë më normale sot?
Dhe, nëse LVV-ja dhe LDK-ja janë parti që sot janë lehtë të identifikueshme si normale – brenda spektrit politik evropian – a nuk mund të jetë objektivi i tyre që Kosova të jetë një vend normal, pra një vend me arsim e shëndetësi publike, sistem sigurimesh shëndetësore e gjëra të tjera të ngjashme normale e që përmbushin nevojat e qytetarëve?
Rrjedhimisht, pse të mos quhet ndryshimi normalitet?
4.
E qartë, nuk jemi duke folur për një shtet si çdo tjetër në Evropë. Ky është shtet me një konflikt ende të papërfunduar me Serbinë, që në kushte paqeje po zgjat tashmë 20 vjet. Arritja e një marrëveshjeje paqeje me Serbinë do të krijonte “muret e jashtme” të normalitetit, dhe ky është një objektiv që mund të mbërrihet. Aq më shumë mund të mbërrihet nëse në vend të personave të implikuar në nivele të ndryshme të krimit të organizuar, Kosovën e përfaqëson një qeveri e “normalitetit korrespondues”, pra të atyre që mund të komunikojnë brenda një konteksti kulturor dhe politik evropian.
Dhe, po ashtu e qartë, LVV-ja dhe LDK-ja mund të hasin në pengesa nga të tjerët, apo t’i gjejnë të krijuara brenda vetes për ta shpënë këtë vend përpara. Por çdoherë dhe çdo ditë që të ndodhë kjo, prej 7 tetorit ku u krijua një energji e madhe shprese për këtë vend, duhet të dinë se alternativat për ta nuk janë mes një qasjeje politikash në një fushë a tjetër. Alternativat para tyre janë normaliteti për qytetarët e Kosovës apo gjendja në të cilën jetojnë sot.
Asfiksohen nga rrjedhja e gazit, dy të vdekur në Tiranë
Putin shpreh gadishmëri për negociata, por përsërit kërkesat...
Kryeministri Kurti mirëpriti një delegacion të bizneseve nga...
Therje me thikë ne Lipjan
LDK nesër pret në takim 150 bizneset më të mëdha në vend, Ru...
Mickoski: Kushdo që hap një temë për çështje identitare nuk ...