Presidenti i Trepçës akuzon Policinë e Kosovës: Ata përgatitën spektakël

12:27 | 9 Tetor 2019
A. B.

Presidenti i klubit serb nga Kosova Trepça, Vladan Radovanovic, nuk e fshehu zhgënjimin e tij pasi Policia e Kosovës s’e lejoi skuadrën e Crvena Zvezdas të hyjë në territorin kosovar për ta zhvilluar ndeshjen e Kupës së Serbisë.

Ndeshja e planifikuar të zhvillohet sot në orën 15:00 mes klubit serb nga Kosova, Trepçës, dhe Crvena Zvezdas në territorin e Kosovës nuk do të zhvillohet pasi që Policia e vendosur në Jarinë nuk i lejoi serbët të futen në territorin kosovar, raporton Gazeta Express.

Federata e Futbollit e Kosovës kishte lajmëruar se ndeshja nuk do të zhvillohet dhe për këtë gjë kishte kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës, e cila e kishte detyrën për t’i ndalur futbollistë serbë të hyjnë në territorin e Kosovës.

FFK-ja e ka kundërshtuar pjesëmarrjen e klubeve serbe nga Kosova në garat e Serbisë, duke insistuar se vetëm ajo ka të drejtë të organizojë gara në territorin e Kosovës dhe për këtë tentim të Serbisë për të ndërhyrë në territorin kosovar është ankuar edhe në UEFA e FIFA.

Përkundër që statuti i UEFA-s nuk ia lejon Federatës serbe të organizojë gara në Kosovë, presidenti i Trepçës Radovanovic vlerësoi se Policia e Kosovës kishte përgatitur spektakël për ta ndalur Zvezdën.

“Ju e shihni vetë se çfarë po ndodh, kjo është më shumë sesa sport. Spektakli ishte duke u përgatitur në Mitrovicë, por e keni parë se çfarë ndodhi. Deri sot, deri në orën 10, ishim optimistë se do ta luanim ndeshjen. Nuk ka rëndësi se ku, ne mendojmë se ndeshja do të luhet në Stara Pazova”, ka thënë Radovanovic.

“Ne nuk kemi më frikë nga asgjë, ata na ndaluan vetëm për të na ndaluar. Këto gjëra, që politika të ndërhyjë në sport, nuk varen nga ne. Çdo gjë tjetër që mund të them do të ishte e tepërt – shtoi Radovanoviç.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme