Google ADS

E konfirmon Kosnett: Bashkë me Grenell në Kosovë vjen edhe Matthew Palmer

11:48 | 9 Tetor 2019
Arbresh Info

Përveç emisarit të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në Kosovë sot do të vijë edhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin dhe për dialogun të cilin e kishte emëruar sekretari amerikan Mike Pompeo, Matthew Palmer.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ka thënë se Grenell dhe Palmer do ta vizitojnë bashkë Kosovën.

“Mbështetja e SHBA-së për procesin e dialogut Kosovë-Serbi kërkon punë ekipore: Përfaqësuesi Special Presidencial Grenell dhe Përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit së bashku në Berlin. Të dy do ta vizitojnë Kosovën”, ka shkruar Kosnett.

Ndërkohë vizitën e Richard Grenell mbrëmë vonë e ka konfirmuar edhe zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Në orën 13:00, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim Përfaqësuesin Special të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin Richard Grenell”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Grenell e Palmer para vizitës në Kosovë, kanë zhvilluar një takim në Berlin me diplomatë gjermanë.

Atje kishin diskutuar për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. /Express/

 

Të ngjashme