Këtë verë u thyen rreth 400 rekorde temperaturash në botë

11:41 | 9 Tetor 2019
Arbresh Info

Sipas një analize të temperaturave, gati 400 rekorde të temperaturës më të lartë të të gjitha kohërave janë thyer në pjesë të ndryshme të hemisferës veriore gjatë verës që shkoi.

Këto rekorde u shënuan në 29 shtete në periudhën nga 1 maji deri më 30 gusht. Një e treta e rekordeve u shënuan në Gjermani, ndërsa pas saj u renditën Franca dhe Holanda.

Analiza e rekordeve të temperaturave të larta u bë nga instituti i klimës, Berkley Earth, i cili është me bazë në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë kësaj vere, në hemisferën veriore ishin 1200 vende të ndryshme që përjetuan temperatura rekorde për muajin e caktuar.

Të dhënat për rekordet e temperaturave janë mbledhur nga qendrat e motit që kanë së paku përvojë 40-vjeçare në regjistrimin e temperaturave në hemisferën veriore.

Në Francë u regjistrua temperatura më e lartë në histori, 46 gradë, ndërsa rekorde të reja janë raportuar edhe në Britani të Madhe, Belgjikë, Gjermani, Luksemburg dhe Holandë.

Temperatura të larta ka pasur edhe në kontinentet e tjera. Në Japoni u regjistruan dhjetë rekorde të reja të temperaturës më të lartë dhe 11 njerëz vdiqën nga vapa, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme