A pritet opozitë e ashpër ndaj Vetëvendosjes siç ishte vetë ajo?

08:19 | 9 Tetor 2019
Arbresh.info

Pas 12 vjetësh qëndrimi në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të dielën e 6 tetorit u mposht, duke u radhitur si partia e tretë më e votuar në vend pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

E para në këto zgjedhje është renditur Lëvizja Vetëvendosje, partia kjo me të cilën PDK-ja e Kadri Veselit ishte përplasur vite me radhë derisa ishte në pushtet, shkruan arbresh.info

Por, si do të reagonte Lëvizja Vetëvendosje nëse pas ardhjes së saj në pushtet, përballë vetes do kishte një opozitë të ashpër siç ishte vet.

Analistët vlerësojnë se nëse Vetëvendosje formon qeverinë dhe në pushtet ka sjelljet e njëjta sikurse qeveritë e mëhershme, atëherë subjektet në opozitë kanë të drejtë të veprojnë njëlloj sikurse VV-ja dikur.

Analisti politik Fatmir Sheholli beson se qeveria e ardhshme do t’i jep rrugë të drejtë Kosovës dhe po ashtu mendon se duhet të veprojnë njëzëri për shkak se sipas tij tani e tutje çdo formë tjetër mund t’i kushtojë shumë Kosovës.

“Duhet te kemi durim dhe vetëdije të lartë qytetare deri ne formimin e qeverise se Republikës se Kosovës. Besoj qe qeveria e ardhshme do t’i jep rrugë dhe zgjidhje të drejtë Kosovës. Kosova para veti ka sfida te jashtëzakonshme ku nevojitet konsensualitet i madh politik dhe qytetar, andaj duhet si shoqëri dhe shtete te veprojmë me një zë sepse çdo formë tjetër mund të na kushtojë shumë”, tha Sheholli.

Ndërsa analisti tjetër, Ramush Tahiri, thotë se opozita e ardhshme duhet ta vëzhgojë qeverinë dhe keqpërdorimet e ndryshme që mund të ndodhin në vend. Pasi sipas tij, nëse ndodh e njëjta, vendi mund të shkoj në krizë politike.

“Konsideroj që Qeveria e re duhet te formohet nga VV dhe LDK dhe besoj që do t’i ketë diku rreth 63 vota të nevojshme, dhe besoj që është një qeveri që mundet me e qu vendin përpara. Pres që opozita në konstruktivitetin e saj ta vëzhgon qeverinë, t’i vërejë ligjet, dokumentet, materialet keqpërdorimet eventuale dhe t’i zgjidhin në kuvend. Përndryshe nëse nuk ndodhë kjo, vendi shkon në krizë dhe kjo nuk e respekton vullnetin e qytetarëve, pra vullneti I qytetarëve nuk mundet me u shtrembëruar. Trendi  rritjes për ndryshim nga ana e qytetarëve nuk mund të ndalet”, tha Tahiri.

Në anën tjetër fitoren e Vetëvendosjes, analisti Blerim Burjani, e sheh si një problematikë që mund të shfaqet mes partive, dhe të krijohen probleme dhe kacafytje mes tyre.

“Këtu të mira nuk dot të ketë përveç dëme ,kacafytje ne me interesave te PDK dhe LVV, LDK nuk ka llogari te konfrontohet me te gjithë për shkak idealeve politike te VV, qe shpesh janë utopikë, vota e mllefit e ka sjelle VV ne një fitore minimale qe nuk është për tu gëzuar por është sherr i madhe , patatja e nxehët ne duar e VV me njerëz te pakt qe din me ndryshua gjë. Paralajmërimi i VV që do të bashkëpunoj me të gjithë për bere ndryshimin është vetmja shprese”, tha Burjani.

Ndërsa analisti tjetër, Faik Krasniqi, thotë se opozita ka të drejtë të reagoj ndaj Vetëvendosjes vetëm nëse ky subjekt do t’i ketë të njëjtat vepra me pushtetet e mëhershme.

“Nuk ka asnjë dileme qe Qeverinë do formoje Lëvizja Vetëvendosje, sepse është fituese e zgjedhjeve. Çdo Qeveri tjetër e formuar pa Lëvizjen Vetëvendosje, do te ishte jo demokratike dhe antikushtetuese. Shumica e sjelljeve dhe protestave te Lëvizjes Vetëvendosjes ne Kuvend dhe jashtë Kuvendit kane qene me te drejte, sepse ishte ne pyetje shteti i Kosovës. Demarkacioni dhe Asociacioni i komunave me shumice serbe. Te kesh përballe nje PDK te zhytur ne krim dhe korrupsion, s’ke rruge tjetër përveç protestave. Nëse Lëvizja Vetëvendosje ne pushtet sillet si PDK-ja, atëherë edhe këta te fundit kane te drejte te sillen si Lëvizja Vetëvendosje kur ishte ne opozite”, tha Krasniqi.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit,  që nga dimri i vitit 2010 – kur për herë të parë mori pjesë në zgjedhjet e përgjithshme, e deri tani ka arritur të ketë një rritje të jashtëzakonshme, të paparë në historinë e demokracisë parlamentare në Kosovë.

Në zgjedhjet e para ku mori pjesë ato të vitit 2010, Vetëvendosje fitoi 14 mandate në Kuvend. Në ato të dytat, më 2014, VV fitoi 16 mandate. Kësaj here, Albin Kurti dhe përkrahësit e tij u ngjitën te shifra prej 31 deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Madje, si parti, Vetëvendosje në realitet ka marrë më së shumti vota të qytetarëve të Kosovës. Në nivelin lokal, Vetëvendosje që nga zgjedhjet e vitit 2013 e deri në largimin e Shpend Ahmeti dhe disa të tjerëve nga VV udhëhiqte komunën më të madhe dhe më të rëndësishme në vend, atë të Prishtinës./E.Haxhiu/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme