Google ADS

Rinumërimi i votave shtyn rezultatin deri afër 2 muaj

15:04 | 8 Tetor 2019
Arbresh.info

Dy ditë pas zgjedhjeve, tri parti politike kanë kërkuar rinumërim të votave nën dyshimin e parregullsive në vendvotime.

E në rast se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton këtë ankesë, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend mund të shtyhen për rreth 2 muaj.

Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj në një intervistë dhënë për arbresh.info ka thënë se QNR i zbaton vendimet e KQZ-së.

Ndërsa ka shtuar se duhet goxha  shumë kohë deri në rinumërim të votave.

“QKR i zbaton vendimet që i merr KQZ kështu që do të veprohet në bazë të atij vendimi. Nuk mund të themi për afate sepse duhet të punohet në tri ndërrime me rinumërime të plota kështu që nuk mund të themi data por do të duhet goxha shumë kohë. Proceduat e rregullta siç është procesimi i formularëve, regjistrimi i votueseve, numërimi i votave me kusht dhe atyre me postë janë në afërtë që  ka përcaktuar KQZ por çdo punë shtesë, çdo rinumërim do ta rris afatin e publikimit të rezultateve, do të na duhet afat shtesë”, ka thënë ai.

E duke folur për procesin aktual të numërimit, Ahmetaj ka thënë se janë në fazën e pranimit të materialit të ndjeshëm.

“Aktualisht e kemi përmbyllur fazën e parë të pranimit të materialit të ndjeshëm, tash konsiderojmë se gjithë materialin e ndjeshëm  kemi brenda qendrës dhe jemi në fazën e trajtimit të tyre sipas procedurave të QNR-së”, ka thënë ai.

Koordinatori i QNR-së, ka shtuar gjithashtu se ende dihet numri i votave me kusht dhe me postë.

“Nuk mund të themi se sa është numri i votave me kusht sepse përfunduar procesi I pranimit por kemi edhe një numër të votave me kush që janë në karantinë dhe atëherë mund të dimë numrin final të votave me kusht. Numri i votave me postë është akoma në fazën e vlerësimit dhe ditëve ne vijim shpresoj se do të vinë votat me postë në QNR”, ka shtuar ai.

E sipas tij ende nuk dihet as kur do të filloj numërimi i këtyre votave.

“Jemi shumë herët në fazën e procesimit të të dhënave e, jemi duke i proceduar të dhënat nga formularët e subjekteve dhe kandidatëve në bazën e të dhënave dhe do të bëhet vlerësimi e krahasimi i tyre. Do ta regjistrojmë çdo votues të rregullt dhe atyre me kusht e do të bëhet krahasimi në mënyrë që të shohim statusin e atyre që kanë pas mundësojnë të votojnë me kusht”, ka thënë Ahmetaj.

Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se nuk ka datë të caktuar për fillim të numërimit të votave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi të hënën në një intervistë dhënë për arbresh.info ka thënë se procedurat dhe dinamika e punës përcakton fillimin e numërimit.

“Nuk mund të kemi një datë të caktuar se kur do të filloj numri i votave me kusht, votave të personave më aftësi të kufizuara dhe votave që kanë ardhë nga jashtë vendit pasi ne varemi nga procedurat dhe dinamika e punës që po zhvillohet. Po shpresojmë që Brenda pak ditëve do të fillojmë numërimin e votave”, ka thënë Elezi.

Ai gjithashtu kishte thënë se rezultati përfundimtar mund të dalë pas 3 javësh.

“Është e vështirë të themi një datë pasi ne varemi nga procedurat dhe dinamika e punës këtu në QNR, në proceset e kaluara zgjedhore përafërsisht na janë dashur rreth 20 ditë që të arrijmë të shpallim rezultatin përfundimtar”, ka përfunduar Elezi.

Lexo edhe: Edhe tre javë nuk publikohet rezultati përfundimtar, QNR sot fillon punën

Në të gjithë vendin, të dielën janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Sipas të dhënave të KQZ-së nga votat e numëruara deri tani e para është renditur Lëvizja Vetëvendosje e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

E të pakënaqur me këtë rezultat  Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe NISMA kanë kërkuar rinumëron të fletëvotimeve për zgjedhjet e së dielës.

Këtë për arbresh.info e ka konfirmuar Mul Desku kryesues i Panelit Zgjedhor për ankesa dhe parashtresa (PZAP).

Ai ka shtuar gjithashtu se arsyetimi i kësaj kërkese është dyshimi për parregullsi.

“Kemi pranuar tri ankesa të llojit të tillë që po kërkojnë rinumërim të votave për shkak siç thuhet të parregullsive në vendvotime. PDK, LDK dhe Nisma”, ka thënë Desku./arbresh.info/

Lexo edhe: PDK, LDK e Nisma kërkojnë rinumërim të votave

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme