Messit mund t’i ndalohet udhëtimi në Angli, edhe nëse i bie shorti në Champions me klube angleze

08:25 | 8 Tetor 2019
Arbresh Info

Lionel Messi mund të mos e ketë kurrë mundësinë për t’i shlyer kujtimet e hidhura të përballjes me Liverpoolin në sezonin e kaluar të Ligës së Kampionëve, pasi që atij mund t’i ndalohet udhëtimi në Britani të Madhe pas Brexit-it.

Ylli argjentinas ka qenë i akuzuar për evazion fiskal dhe është dënuar me 21 muaj burgim të suspenduar nga gjykata spanjolle, pasi arriti marrëveshje jashtë gjykatës me ta, transmeton Gazeta Express.

Pesë-herë fituesi i Topit të Artë është për momentin qytetar i Bashkimit Evropian, pasi që ai posedon nënshtetësi të dyfishtë, spanjolle dhe argjentinase, duke e pasur kështu mundësinë për të udhëtuar në Britani të Madhe për krimin e tij jo të dhunshëm.

Por, avokati i emigracionit, Andrew Osbourne, ka paralajmëruar se futbollistët mund të përballen me probleme në udhëtime nëse Britania e Madhe largohet nga Bashkimi Evropian. Njëri ndër lojtarët që mund të ketë probleme është edhe 32-vjeçari Messi.

“Është një pikë specifike për ndeshjen evropiane. Nëse je qytetar i BE-së dhe ke kryer një krim, ti mund të udhëtosh në Britani të Madhe, për aq kohë sa nuk vlerësohet se je rrezik për të tjerët”, ka thënë Osbourne për The Athletic.

“Nëse nuk je qytetar i Bashkimit Evropian dhe je i dënuar për ndonjë krim – edhe nëse është me burgim të suspenduar – ty mund të të ndalohet ardhja në Britani të Madhe”.

“Ka një numër të futbollistëve shumë të famshëm që janë dënuar për evazion fiskal. Deri më tani, ata s’kanë pasur probleme sepse kanë pasur pasaportë të BE-së. Por, pas Brexit-it (daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian), ata mund të mos kenë mundësi të hynë në vend”.

“Kushdo që ka ndonjë dënim me burg të çfarëdo lloji, pika fillestare është se nuk do të lejohet të hyjë në vend. Kjo mund të shkaktojë probleme për skuadrat e Ligës së Kampionëve. Klubet dhe UEFA duhet të ndërmarrin diçka”.

Barcelona nuk u përball me asnjë klub në fazën e grupeve të këtij edicioni të Ligës së Kampionëve, mirëpo ata mund të mbeten pa kapitenin Messi nëse u bie shorti me ndonjë klub anglez në fazat e mëvonshme të kësaj gare. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme