Vuçiq i nis konsultimet për zgjedhjet në Serbi

18:08 | 6 Tetor 2019
Arbresh Info

Kreu i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka filluar konsultimet për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në prill të vitit 2020 në Serbi.

Kreu i SNS-së, Vuçiq ka takuar sot ministrin serb të Tregtisë, Rasim Ljajic, i cili, gjithashtu, është edhe kryetar i Partisë Socialdemokrate në Serbi.

“Konsultimet e para për zgjedhjet që po vijnë, me një mik, kreun e SDPS-së, Rasim Ljajic”, ka shkruar Aleksander Vuçiq në një fotografi të cilën e ka publikuar në Instagram në kuadër të fushatës së tij të quajtur “E ardhmja e Serbisë”, shkruan RTS, transmeton Gazeta Express.

Ndërkohë, derisa Vuçiq po përgatitet për zgjedhjet e reja, në Kosovë procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit po shkon drejt fundit.

Sipas shumë ekspertëve dhe njohësve të çështjeve politike në Ballkanin Perëndimor, qeveritë e reja që do të dalin pas zgjedhjeve si në Kosovë po ashtu edhe në Serbi, do të jenë ‘qeveri të dialogut’, pasi që tashmë janë aktivizuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, për të rinisur dialogun dhe për të arritur një marrëveshje finale deri në verën e vitit 2020.

Ndërkohë, e njëjta gjë vlen edhe për qeverinë e re të Serbisë, e cila do të dalë pas zgjedhjeve të cilat do t’i mbajnë në pjesën e parë të vitit 2020.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompoe, në shtator kishte emëruar Matthew Palmer si Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi, ndërkohë Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkuar edhe më tej, duke emëruar si Përfaqësues Special Presidencial për dialogun Prishtinë-Beograd, ambasadorin amerikan në Berlin, Richard Grenell.

Ky vendimi i Trumpit është komentuar shumë, disa janë befasuar për të keq, ndërkohë disa kanë thënë se presidenti amerikan dëshiroi të sigurohet që në dialogun Kosovë-Serbi do të respektohet 100 për qind interesi amerikan, meqenëse Richard Grenell konsiderohet si njeri shumë i afërt i Trump.

Një emisar special për dialogun pritet ta ketë edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell, institucion ky që do të luajë rolin kryesor të ndërmjetësimit në dialog. /GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme