Google ADS

Presidenti Trump i bën thirrje edhe Kinës që ta hetojë Bidenin

13:26 | 6 Tetor 2019
Arbresh.info

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili po përballet me procedurat për shkarkim pasi ka kërkuar nga Ukraina të hetojë rivalin e tij politik, Joe Biden, i ka bërë thirrje edhe Kinës që ta bëjë të njëjtën gjë.

Ai ka thënë se edhe Kina, edhe Ukraina duhet të hetojnë Bidenin, kandidat i mundshëm demokrat për president të SHBA-së, dhe djalin e tij.

“Presidentit [të Ukrainës, Volodymyr] Zelenskiy – sikur të isha në vendin e tij – do t’i rekomandoja të niste hetimin e Bidenit. Po ashtu, edhe Kina duhet të nisë hetimet, sepse, ajo çfarë ka ndodhur në Kinë është njësoj e keqe si në Ukrainë”, tha Trump.

Demokratët thonë se Trumpi e ka kushtëzuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, për t’i bërë presion këtij vendi që të hetojë Bidenin.

Një bisedë telefonike midis Trumpit dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e realizuar më 25 korrik, ka bërë që një informator të ngrejë ankesë te komuniteti i inteligjencës.

Në bazë të kësaj ankese, më pas, Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga demokratët, ka nisur procedurat për shkarkimin e presidentit.

Por, Trumpi ka thënë se hetimet kundër tij, që mund të kulmojnë me shkarkim, janë “broçkulla”.

Në një postim në Twitter të enjten vonë, Trump ka thënë se ai e ka për detyrë të hetojë korrupsionin e dyshuar dhe se “kjo do të përfshijë të kërkuarit ose të sugjeruarit e vendeve të tjera për ta bërë një gjë të tillë”.

Trump e ka akuzuar Bidenin dhe djalin e tij, Hunter, për korrupsion në marrëveshjet e tyre politike dhe biznesore në Ukrainë dhe Kinë, por pa paraqitur ndonjë provë specifike.

Kur Hunter Biden është bashkuar me kompaninë ukrainase të gazit natyror Burisma në vitin 2014, janë ngritur pyetje në lidhje me një konflikt të mundshëm interesi për babanë e tij.

Derisa Ukraina, atëbotë, ka qenë duke kaluar nëpër një tranzicion politik, pasi presidenti i saj pro-rus është rrëzuar nga pushteti, Joe Biden ka qenë njeriu kryesor i administratës Obama për këtë vend të Evropës lindore.

I pyetur nga gazetarët të enjten se çfarë ka kërkuar si “favor” nga presidenti i Ukrainës, Trump është përgjigjur:

“Të jemi të sinqertë, ata do të duhet të nisin një hetim të madh të Bidenit. Është përgjigje e thjeshtë”.

“Po ashtu, Kina duhet të fillojë hetimet e Bidenit”, ka thënë Trump.

Trump ka thënë se Biden është përgjegjës edhe për marrëdhëniet “e dashura” tregtare të Kinës me SHBA-në.

Në vitin 2013, Joe Biden, atëbotë nënpresident i SHBA-së, ka shkuar për vizitë shtetërore në Kinë, ku ka takuar presidentin Xi Jinping dhe zyrtarë të tjerë kinezë.

Hunter Biden dhe vajza e tij i janë bashkuar nënpresidentit.

Gjatë vizitës dyditore, Hunter ka takuar bankierin kinez, Jonathan Li, i cili më vonë është bërë partner i tij biznesi./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme