Gjashtë raste të dhunës në familje nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës

08:08 | 5 Tetor 2019
Arbresh.info

Vetëm që nga fillimit i këtij viti e deri tash janë gjithsej gjashtë raste të dhunës në familje e të cilat janë shkaktuar nga personat që janë të veshur me uniforma të Policisë së Kosovës.

E për shumicën prej tyre Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë edhe verdiktin e tyre final.

Në një përgjigje dhënë arbresh.info, IPK, ka njoftuar se janë edhe dy raste të cilat janë akoma në procedura hetimore nga Departamenti Hetimor.

“Bazuar në të dhënat zyrtare të Inspektoratit Policor për periudhën nëntë mujorë të vitit 2019, deri më tani janë të regjistruara në IPK janë 6 raste. Për tri nga këto raste që janë trajtuar nga hetuesit e Departamentit të hetimeve e ku zyrtarë policorë kanë qenë si të dyshuar për këtë vepër penale, ka pasur arrestime si dhe rekomandime për suspendim nga ana e IPK-së si dhe janë përcjellë me kallëzim penal në prokuroritë kompetente, kurse për një rast tjetër IPK ka përcjell kallëzim penal në prokurori dhe rasti është mbyllur nga të njëjtit. Dy raste janë akoma në procedurë hetimore në Departamentin e Hetimeve të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim nga IPK.

Se dhuna si  fenomen buron nga shoqëria dhe kjo nuk i kursen as uniformat blu, e thotë edhe sociologu Ferdi Kamberi.

Në një përgjigjej dhënë arbresh.info, Kamberi thotë se dhuna është rezultat i konfliktit, e konflikti është rezultat i mosmarrëveshjeve.

“Dhuna si fenomen shoqëror buron nga shoqëria dhe e përcjellë atë (shoqërinë) hap pas hapi. Ajo nuk kursen, moshë, enti, kulturë apo gjini, qëllimi i saj është që të dëmtoj të tjerët përmes formave të paraqitura. Mund të jetë dhunë fizike, psikologjike, seksuale apo verbale, por qëllimin e ka të njëjtë. Në këtë drejtim, as uniformat blu (të policisë) nuk përjashtohen nga ky fenomen për shkak se dhuna ndodhë si rezultat i faktorëve të ndryshëm, prandaj përfshinë kategori të ndryshme, përfshirë këtu policinë e Kosovës”, vlerëson Kamberi.

Sipas tij, mosmarrëveshjet janë pasojë e qasjes së gabueshme në vlerësimin e dallimeve.

Kur flitet mbi dhunën në familje kryesisht mendohet në dhunën e ushtruar ndaj grave dhe fëmijëve, megjithëse këtu nuk përjashtohen as meshkujt, edhe pse fokusi është më shumë tek gratë.

Faktorët që dërgojmë deri tek dhuna janë mungesa e komunikimit mes bashkëshortëve, e deri të mungesa e pavarësisë ekonomike.

“Disa nga faktorët kryesorë të dhunës në familjen shqiptare janë:  mungesa e një komunikimi të mirëfilltë në mes të bashkëshortëve e cila për fat të keq tek ne shpeshherë mungon, pastaj toleranca e dhunës nga ana e vet viktimave për shkaqe dhe rrethana të ndryshme, mungesa e pavarësimit ekonomik të gruas me rastin e ushtrimit të dhunës ndaj saj, faktorët socio – ekonomik, ku kemi një papunësi të lartë e cila ka prodhuar varfëri të lartë. Gjithashtu, faktorë të tjerë janë faktorët individual si: ushtrimi i pushtetit në raport me viktimat, përdorimi i alkoolit, drogës, stresi në punë dhe instrumentalizimi i atij stresi në shtëpi, ndikimi i mediave, si dhe faktorë të tjerë”.

E nëse kjo dukuri nuk parandalohet sociologu Kamberi thotë se në vendin tonë do të prodhohen gjenerata të dhunshme, duke ju referuar statistikave që brenda vitit lajmërohen mbi 1000 raste të dhunës në familje.

“Mesatarja e dhunës në familjet kosovare brenda vitit është 1000 raste, gjë që tregon se shoqëria kosovare para vetës ka një fenomen për të cilin nëse nuk merren masa adekuate, atëherë do të prodhojnë gjenerata të dhunshme, të cilat do të sfidojnë familjen, komunitetin, shoqërinë dhe vet shtetin. Prandaj, zyrtarët policorë janë kujdestarët e shoqërisë dhe duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo të shndërrohen në persona që ushtrojnë dhunë në familje, pavarësisht faktorëve të ndryshëm” thotë Kamberi.

Ai shton se një gjë e tillë përveç që humb besimin tek ky institucion kredibil, ndikon si satisfaksion moral apo motiv edhe për qytetarët tjerë që të realizojnë të njëjtën gjë./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme