Raportimet për vëllain e tij, Xhafer Tahiri distancohet dhe i ofron bashkëpunim drejtësisë

19:48 | 4 Tetor 2019
L G

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, është distancuar nga një video e publikuar nga një portal në lidhje me vëllanë e tij, ndërsa thotë se Partia Demokratike e Kosovës po e shantazhon.

Tahiri ka shkruar se PDK’ja po e shantazhon tash e një vit atë me një video që nuk e ka parë asnjëherë e që tash ka dalë në një medium.

Kryetari i Vushtrrisë i ka ofruar drejtësisë bashkëpunim dhe është distancuar nga ata për të cilët thotë se ‘e kanë shkelur besimin e tij dhe e kanë shkelur ligjin’

Shkrimi i plotë i Tahirit:

Të shokuar nga humbja që pësuan në Vushtrri, tash e një vit sejmenët e Partisë Demokratike të Kosovës janë munduar të me nënshtrojnë me një video për autenticitetin e të cilës nuk kam as njohuri as nuk e kam parë kurrë me parë, deri sot kur më treguan se është publikuar në një medie online.

Kjo është edhe një fushatë e ultë e kësaj partie për të më kushtëzuar të kaloi në anën e tyre.

Kam refuzuar dhe do të refuzoj t’i nënshtrohem krimit dhe shantazhit. Asgjë e prezentuar në këtë video nuk është me dijen time e as me pjesëmarrjen time.

Jam zotuar para qytetarëve të Vushtrrisë për zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit dhe do të vazhdoj t’i përmbahem këtij zotimi. Do të bashkëpunoj me organet e rendit dhe ligjit që të ndiqen deri në fund të gjithë ata që keqpërdorin besimin tim dhe shkelin ligjin.

Përgjegjësia është individuale dhe i bëjë thirrje organeve të rendit që menjëherë të fillojnë hetimet për këtë rast dhe kushdo qoftë i përfshirë le të merr dënimin sipas ligjit.

E gjithë kjo do të sqarohet ditëve në vazhdim.

Spekulimeve të tilla që përdoren në fushata nga paniku i humbjes do ti përgjigjem me argumente dhe para organeve të drejtësisë.

I garantoi secilit qytetarë të Vushtrrisë dhe votuesve besnik të LDK-së se nuk do të lejoj që krimi i organizuar ta kapë sërish këtë vend.

Me spekulim, shantazhe e montime të tilla askush nuk mund ta zbeh besimin e qytetarëve dhe të ndalë fitoren e madhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për një shtet të ç’kapur nga krimi dhe korrupsioni.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme