Meta: Do bëj çdo gjë që vendi të normalizohet sa më shpejt

07:03 | 4 Tetor 2019
Arbresh.info

Ilir Meta është i bindur se do të qëndroj në zyrën e Presidentit deri në 24 korrik 2022. Nuk ka frikë se do të shkarkohet nga Parlamenti, pasi sipas tij Parlamenti ka vetëm 82 vota plotësisht legjitime për të gjykuar Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Po ashtu Meta për herë të parë është përgjigjur dhe nëse do të shpërndajë Parlamentin.

Zoti President ju do të qëndroni në detyrë deri në fund të mandatit tuaj?

Ilir Meta: Deri më 24 korrik 2022 jam këtu zoti Fevziu, dhe sa herë të kemi mundësi të bëjmë intervista, të ndjekim zhvillimet.

Po nëse Parlamenti ju shkarkon?

Ilir Meta: Tani nuk po iu jap përgjigje nëse Parlamenti çmendet, sepse nuk është se s’ka pasur edhe momente të tilla. Por duhet të jeni të qartë që dhe në rast se Parlamenti e ka këtë dëshirë, nuk është thjeshtë vetëm te Gjykata Kushtetuese, por Parlamenti ka vetëm 82 vota plotësisht legjitime për të gjykuar Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Referohuni deklaratës sime në Pogradec, sepse ju mendoni ndonjëherë se kur ngre tonin humbas kontrollin, por nuk është kështu. Dua thjesht të thyej ndonjë herë monotoninë.

Zoti Meta a e keni menduar ndonjëherë shpërndarjen e Parlamentit?

Ilir Meta: Unë do bëj çdo gjë që vendi të normalizohet sa më shpejt, siç e kam bërë në mënyrë të vazhdueshme. Unë do të sillem gjithmonë si President i Republikës së Shqipërisë, si një shtet i së drejtës dhe jo si një shtet i propagandës.

Që përfshin edhe shpërndarjen e Parlamentit? Se ju nuk e quajtët legjitim vetëm 82 vota ka, thatë.

Ilir Meta: Unë ju thashë që 82 vota janë legjitime për të gjykuar Presidentin e Republikës. Kaq! Në qoftë se me 82 vota legjitime mjafton gjykimi i Presidentit të Republikës, le ta bëjnë kur të duan. Por tjetra, keni parasysh që unë jam betuar për të mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Dhe kjo do të thotë që unë jo vetëm që do sillem si President i Republikës së Shqipërisë, por në fund fare dhe si Presidenti i të gjithë shqiptarëve, jo shqipfolësve./ Opinion.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme