Abdixhiku: Me Vetëvendosjen bashkëpunojmë nëse i gdhend parimet e veta

00:43 | 4 Tetor 2019
Trina Galanxhi

Lumir Abdixhiku nga LDK-ja ka treguar shtyllat themelore ku nuk do të lëshojnë pe në qoftë se lidhin koalicion me ndonjë parti pas zgjedhjeve duke e theksuar se në këto kalkulime e përjashtuar nga ekuacioni çdoherë është PDK-ja.

“LDK si parti fituese është edhe bartëse e programit që është prezantuar si referendum për qytetarët e Kosovës. Qytetarët përveçse për Vjosën votojnë edhe për programin e saj, i cili ka pesë shtylla por në thelb ka dy fryma që janë të padiskutueshme dhe të panegociueshme”.

“E para është kosovocentrizmi orientimi politik ndaj Kosovës si shtet i pavarur, si projekt i përhershëm dhe jo si eksperiment, por stacion përfundimtar”.

“Në këtë relacion të kosovocentrizmit partnerët tonë , përveç PDK-së, duhet ta duan Kosovën duke mos e dëmtuar me partnerët nga jashtë. Jo ta mbrojnë interesin e Kosovës duke na përplasur me partnerët tonë thelbësor, SHBA dhe BE. Këtu e kam fjalën për ata që thirren në tarifë dhe në gjëra të tilla”.

“E dyta është drejtpërdrejt për Vetëvendosjen është që ta duan vendin e vet dhe jo të bëhet diskutimi se a shkon një lider politik në stadium për të parë një lojë ose jo apo se a ngrihet në këmbë për ta nderuar një himn apo jo, por sepse e duan këtë vend”.

“20 vjet pas çlirimit dhe 11 vjet pas pavarësisë vendit duhet t’i shërbejë një gjeneratë politike që përnjëmend e do këtë vend me po të njëjtin mund dhe interes siç e mbrojnë djemtë dhe vajzat në sport, kulturë, film apo biznes”.

“E treta një partner që nuk i kontribuon kapjes së shtetit, e zhvendos fokusin politik të qeverisë së ardhshme nga tendenca për të përvetësuar pasurinë për vete në tendencë për t’i shërbyer popullit në arsim e shëndetësi dhe fusha të tjera”.

Abdixhiku në Zona Zgjedhore e konsideroi Vetëvendosjen si partner preferencial por duke i respektuar këto kushte.

“Nëse VV është e gatshme që t’i gdhend parimet e veta dhe i përshtatet këtij programi dhe këtyre bindjeve të LDK do ta konsiderojmë për partner madje preferencial”.

“Por kushdo tjetër që është i gatshëm të afrohet me programin tonë dhe të Vjosës do ta konsiderojmë si partner”./klan kosova/

Të ngjashme