Sipas kryetarit të PSD-së, Shpend Ahmeti, partia që ai udhëheq ishte e gatshme që të hynte në koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen, nga e cila parti 12 deputetë dolën për të kaluar në PSD para dy vjetësh.
Megjithatë, sipas Ahmetit, inati i VV-së është shumë i madh dhe kjo bëri të dështonte gatishmëria për koalicion parazgjedhor.
“Ne ishim të gatshëm, jo krejt, disa nga ne në PSD, që të flasim për koalicion parazgjedhor me VV-në. Por inati ishte më i madh se dëshira për të parë PDK-në në opozitë. Inati ishte më i madh, s’di çka ishte arsye. Por 15 vjet mund të jesh PDK dhe të thuash pajtohem me Albinin ti pastrohesh, 15 vjet të jesh e VV e të dalësh në PSD, je tradhtar”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se është veç propagandë e VV-së se PSD-ja ka hyrë në koalicion me AAK-në për shkak të frikës se s’do të kalonte pragun në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Kjo është propagandë e Vetëvendosjes. Ne kemi hyrë për të pasur ndikim. Edhe Vetëvendosje sa e sa për qind dhe ka shikuar të hynte me LDK-në. Arsyetimi ishte të fitonin para zgjedhjeve. Edhe ne duam të dalim të parët, e të vendosim socialdemokracinë si prioritet të agjendës publike të Kosovës. Për mua është arritje nëse rroga minimale bëhet 250 euro. A i fitojmë, a do ta kalonim pragun aspak s’ka rëndësi. Nëse e ke kaluar pagën minimale 250 euro, ia bëjmë vetes një plus të madh. Po dua t’i rrisim pensionet. Dua të kemi sigurime shëndetësore. Të kemi nja 50 tema t’i shtyjmë përpara”, ka thënë ai tutje.
Ahmeti ka komentuar edhe rrahjen e anëtarit të PSD-së, Dardan Molliqaj me atë të VV-së, Haki Abazin.
“Unë e kam përmend sepse më kanë pyetur. Më ka rënë disa herë që të dalë publikisht të flasë kur ka pasur incidente të tilla. Isha në VV kur Liburn Aliu e ka sulmuar fizikisht Muhamet Selmanajn. Isha kur ndodhi përleshja fizike mes Rexhep Selimit e Latës dhe Bekim Haxhiu. Në asnjë rrethanë unë si kryetar dhe ne si subjekt politik s’përkrahim dhunën si formë për zgjidhjen e mospajtimeve”, ka thënë ai duke shtuar se rastin Molliqaj-Abazi do t’ia lënë organeve të rendit.
Ai ka thënë se do të diskutojnë brenda strukturave të partisë për rastin, pas zgjedhjeve. Ahmeti ka thënë se Molliqaj i ka thënë se nuk ka pasur qëllim të rrihej veçse i ka kërkuar Abazit të mos fliste për familjet në emisionet televizive.
“Madje i ka thënë edhe Rexhep Hotit që ishte i pranishëm se s’dëshiron përleshje, por siç duket nga frika Haki Abazi ia ka kapur duart. Me pjesën politike do të merremi pas zgjedhjeve për të diskutuar përgjegjësinë nëse Molliqaj ka përgjegjësi politike, por si PSD s’përfaqësohemi nga dhuna si mënyrë e zgjidhjes së problemeve”, ka shtuar ai.
Duke komentuar kërkesën e VV-së që Molliqaj të përjashtohet nga lista e kandidatëve për deputetë, Ahmeti ka thënë se “kjo nuk vlente kur Liburni kishte qëruar hesapet me Selmanajn në një restorant, e as për rastin e Frashër Krasniqit me Milaim Zekën”.
Se pse Molliqaj shoqërohej nga një person tjetër, Ahmeti e ka lidhur këtë me një sulm të kohës kur po bëhej ndarja e VV-së.
“Zoti Molliqaj ishte i sulmuar fizikisht në kohën e ndarjes së VV-së, kur shoferi i tij ishte i lënduar bukur shumë. Dihet ai sulm, dihet kush e ka bërë. Arsye pse është i shoqëruar është edhe kjo. Sepse ishte edhe i kërcënuar pas ndarjes, edhe i sulmuar. Po mundohen ta krijojnë bindjen se Molliqaj ishte njeriu i dhunës përbrenda VV-së. Është hajgare kjo punë”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se nga VV-ja “ka pasur sulm të orkestruar ndaj atyre që janë larguar”./ktv/
Superliga rikthehet sot me dy superduele
Poker dhe baste sportive online, 29 të arrestuar në Tiranë
A do të arrestohej Benjamin Netanyahu në Gjermani?
Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes një person e lëndohe...
Vidhet një pistoletë me 40 fishekë në Prizren
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...