Ahmeti thotë se me AAK-në i bashkoi tema e dialogut

00:15 | 4 Tetor 2019
Trina Galanxhi

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se tubimin e fundit elektoral do ta mbajnë në Gjakovë, në bastionin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai tutje ka shtuar se fushata ka qenë në rregull, gjë që thotë se iu jep shpresë që bashkëqeverisja me AAK-në do t’iu shkojë mirë.

Ahmeti thotë se shpreson që do të ketë një dalje më të madhe të qytetarëve në votime.

Duke folur për koalicionin me AAK-në, ai ka thënë se përveç tjerash i ka bashkuar tema e dialogut.

“Neve na presin muaj të vështirë në formimin e qeverisë. Shtetet e QUNT-it kanë kërkuar në nëntor të jetë qeveria e formuar, e në janar të fillojë procesi i dialogut. Ne kemi parë në muajt e fundit subjekte që ikin nga tema dialogut. Ne jemi kundër lëvizjes së kufijve dhe shkëmbimit të territoreve”, ka thënë ai.

Sipas tij, deklaratat e fundit të Vuçiqit janë që vetëm Haradinaj të mos fitojë e të tjerët nuk kanë rëndësi.

Ahmeti në Interaktiv të KTV-së ka thënë se do të ishte mirë që pas të hënës të ishte një koalicion më i gjerë, duke shtuar se partitë i kanë ikur temës së dialogut.

“Të dielën votohet një qeveri që do t’i ketë këto tema që i diskutojmë por edhe për marrëveshjen me Serbinë. Në Kuvend është votuar platforma e dialogut ku thuhet se nuk lëvizin kufijtë dhe partitë nuk e kanë votuar”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Osmani ka keqpërdorur çështjen e të pagjeturve, pasi thotë se në platformën për dialogun me Serbinë është e përmendur kjo çështje.

Sipas tij, partitë nuk duhet ta fshehin heqjen e taksës me temën e reciprocitetit.

“Tregu dhe tregtia me Serbinë duhet të jenë pjesë e marrëveshjes me ta. Kanë qenë tema të caktuara të cilat janë parashtruar për t’u biseduar. Ne kemi kërkuar që të parashtrohet tema e të pagjeturve. Ne jemi të gatshëm të flasim për të gjitha temat, por jo të na shkelin si tepih”, ka thënë Ahmeti, derisa ka shtuar se taksa nuk duhet të hiqet vetëm për të vazhduar dialogun, sepse kjo është e padrejtë./ktv/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme