Vuçiq në Çeki, çfarë thanë pas takimit me Presidentin Zeman që e ka obsesion Kosovën?

17:30 | 3 Tetor 2019
L G

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, është takuar sot në kuadër të takimeve të Grupit të Vishegradit, me presidentin e Çekisë, Millosh Zeman, me të cilin ka diskutuar rreth arritjes së një kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si të vetmen mënyrë që të sigurohet e ardhmja e të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Në një konferencë për media Vuçiq ka folur edhe rreth nismës së Zemanit për shqyrtimin e pozicionit të Çekisë karshi pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Kreu i shtetit serb ka thënë se nuk mund të ndërhyjë në punë të brendshme të asnjë shteti, apo për ndonjë vendim të mundshëm për ndryshimin e qëndrimit rreth Kosovës.

Ndërkohë presidenti çek, Millosh Zeman, teksa ka folur për nismën e tij, ka thënë se do të provojë që t’i bind kolegët e tij, shkruan B92.

“Unë kam thënë që në takimin e parë me përfaqësuesit e institucioneve të Çekisë që merren me cështje kushtetuese, do ta parashtroj propozimin për heqjen e njohjes. Ne jemi një vend demokratik, mund të jem i hapur, dhe do të përpiqem t’i bind kolegët e mi për tërheqjen e njohjes për Kosovën”, ka thënë Zeman.

Tutje presidenti çek ka thënë se shpreson që edhe të tjerët të kenë mendim të ngjashëm, edhe pse tashmë e di se e gjithë Qeveria e udhëhequr nga Andrej Babish dhe kreu i Kuvendit të Çekisë, nuk kanë ndermend të ndryshojnë pozicion karshi Kosovës.

Ndërkohë Vuçiq e ka falënderuar Zemanin për qëndrimin karshi Kosovës, ndërkohë ka përsëritur faktin se vetëm një kompromis mes Prishtinës dhe Beogradit do të siguronte një rrugë të sigurt për Ballkanin Perëndimor drejt BE-së.

“Unë përsëriti qëndrimin e Serbisë që një zgjidhje kompromisi është e vetmja rrugë e mundshme për të ardhmen e gjithë Ballkanit Perëndimor drejt BE’së, por edhe për marrëdhënie më të mira midis njerëzve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor, ” ka thënë Vuçiq./GazetaExpress/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme