KQZ tregon si të plotësohet fletëvotimi për zgjedhjet e 6 tetorit

15:35 | 3 Tetor 2019
Arbresh Info

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), përmes një njoftimi ka bërë të ditur formën se si duhet të plotësohet fletëvotimi në zgjedhjet e 6 tetorit.

  1. Pasi të hyni në kabinën e votimit, sigurohuni që fletëvotimi është i vulosur.
  2. Zgjedheni subjektin politik dhe shënjoni kutinë pranë numrit dhe emrit të tij. Që fletëvotimi juaj të jetë i vlefshëm, Ju duhet të zgjedheni vetëm një subjekt politik.
  3. Në anën e djathtë gjenden numrat e kandidatëve. Listën e kandidatëve dhe numrat e tyre i gjeni në broshurën që gjendet në kabinën e votimit. Zgjedhini më së shumti pesë kandidatë të subjektit për të cilin keni votuar në anën e majtë. Për të mbrojtur fshehtësinë e votës, paloseni fletëvotimin para se të largoheni nga kabina.

Pra, edhe një herë,

Zgjedheni subjektin politik për të cilin doni të votoni.

Shënjoni kutinë pranë numrit të tij.

Zgjedhini jo më shumë se pesë kandidatë të subjektit.

Mos harroni!

Vetëm një subjekt, dhe më së shumti pesë kandidatë.

Për të votuar, mjafton të keni njërin prej këtyre dokumenteve të identifikimit:
A. Letërnjoftim i vlefshëm;
B. Pasaportë e vlefshme;
C. Dokument i vlefshëm i udhëtimit; dhe
D. Leje e vozitjes e vlefshme.

Dokument i vlefshëm i votimit konsiderohen të gjitha dokumentet e lëshuara nga Republika e Kosovës siç parasheh neni 90 i Ligjit nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Të gjitha vendvotimet do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

Të ngjashme