Google ADS

Krasniqi: Zgjedhjet janë zgjidhja për UP-në

21:09 | 6 Tetor 2015
Arbresh.info

Gazetari Besnik Krasniqi i cili është një njohës i mirë i fushës së arsimit dhe një gazetar shumë vjeçar nga po kjo fushë e sheh zgjidhjen e situatës në Universitetin e Prishtinës vetëm përmes zgjedhjeve. Në një postim në rrjetin social ai thotë që degradimi i raporteve ka ardhur në atë masë sa të jenë armiqësi midis vetë organeve qeverisëse të Up-së. Sipas tij zgjedhjet e monitoruara mirë dhe të përgatitura nga shoqëria civile do të sillnin kualitet në secilin nivel fakultetesh dhe universitet./arbresh.info

Më poshtë e gjeni të plotë shkrimin e tij në Facebook:

 

Zgjedhjet janë zgjidhja për UP-në

Kanë degraduar në armiqësi raportet, jo vetëm midis grupeve të interesit, por edhe midis vetë organeve qeverisëse të UP- së.

Kemi këshilla fakultetesh e dekanë që për kryekauzë kanë mbajtjen në jetë të praktikës së avancimeve akademike jashtë çdo kriteri.

Kemi një përbërje Senati që e mbështet dhe e shtynë përpara këtë kryekauzë, e tani ka nisë iniciativën edhe për shkarkimin e Rektorit.

Kemi një Rektor që kryekauzën nuk e ndal nëpërmjet mekanizmit që e ka në dorë – mosfirmosjes së kontratave – por nëpërmjet konfrontimit e bllokimit të punës së Senatit.

Kemi edhe Parlamentin Studentor që sot nisi një protestë dhe paralajmëroi bllokim fakultetesh, i shtyrë edhe nga disa kërkesa të drejta e edhe nga motive përtej kërkesave formale.

Kjo situatë është pasojë e interesave dhe e egove puro personale. Dikush po lufton, pra, që të mos ndërpritet rruga që të bën “marshal” edhe pa pasur kurrfarë kredenciali shkencor. Dikush tjetër hapë sa më shumë fronte, me e pa të drejtë, me qëllimin për t’u portretizuar si hero. E, Universiteti është në prag të bllokadës totale.

Prandaj, zgjidhja do të ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në UP, të cilat do të përfshinin: këshillat e fakulteteve, Senatin, dekanët e Rektorin. Ama, zgjedhje me tamam. Të përgatitura mirë e të monitoruara fortë nga shoqëria civile. Të tilla besoj se do të sillnin përbërje shumë më kualitative te të gjitha organet qeverisëse në nivel fakultetesh e universiteti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme