Intelektuali dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Hasani Jashari, ka treguar se ka hyrë në politikë me synimin për ta përmirësuar gjendjen e keqe në të cilën ndodhet vendi.
Ai ka bërë më dije se ka vendosur t’i bashkohet Aleancës Kosova e Re (AKR) për shkak të programit të mirë të saj i cili mundëson zhvillimin ekonomik të shtetit.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Jashari ka thënë se do ta japë kontributin e tij për ta vendosur në binarë sistemin e drejtësisë.
Hasani: Duke e parë gjendjen në Kosovë, thuajse në të gjitha poret e jetës qytetarët me të drejtë kanë humbur besimin në këtë klasë politike dhe të udhëheqësit institucional. Po shihet se kemi një sistem të drejtësisë jo të mirë, një shëndetësi jo të mirë, një arsim jocilësor dhe një ekonomi jo të zhvilluar. Qytetarët e Kosovës, duke e parë këtë gjendje, çdo ditë po i humbin shpresat se do të bëhet mirë dhe çdo ditë me lot në sy po e lëshojnë vendin e tyre. Prandaj kam vendosur që si qytetar i Republikës së Kosovës të angazhohem me tërë potencialin tim profesional, moral dhe intelektual së bashku me ata që e duan shtetin e Kosovës, të cilët nuk abuzojnë me këtë shtet, që të punojmë që qytetarëve të Kosovës t’ua kthejmë besimin në institucionet e shtetit të Kosovës, pra t’ua kthejmë shpresat. Kosova ka njerëz që e duan vendin e tyre, por që duhet të mos heshtin dhe mos të rrinë indiferentë ndaj kësaj gjendje. Të ndërtojmë një shtet të së drejtës, një sistem të mirëfilltë të drejtësisë, ku të gjithë qytetarët ndihen të barabartë para ligjit. Së bashku të punojmë për ndërtimin e shtetit të Kosovës që na obligon gjaku i atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit, na obligon sakrifica e madhe e popullit tonë, që të punojmë për ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Pse zgjodhët AKR-në?
Hasani: I kam analizuar të gjitha programet e partive politike. Duke u bazuar se AKR-ja është në koalicion me Nismën Socialdemokrate dhe Partinë e Drejtësisë, ka programin më të mirë për ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik si dhe AKR-ja ka një lider politik i cili me argumente ka dëshmuar se e do shtetin dhe punon me duar të pastra. Një lider i cili nuk është pjesë e krimit dhe korrupsionit dhe as bashkëpunëtorët e tij ka qenë arsyeja pse kam vendosur të rreshtohem në AKR. Pjesë e AKR-së nuk jam vetëm unë, por jemi një familje e gjerë dhe një pjesë e lagjes Jashari. Z. Pacolli në vendin tonë njihet si personalitet me vlera të larta njerëzore, morale, kombëtare, intelektuale dhe njihet si njeri i madh human, si biznesmen dhe është një burrështetas me përmasa botërore. Kosova ka nevojë për njerëz siç është z. Behgjet Pacolli.
A keni kërkuar ndonjë kusht për t’u bërë pjesë e AKR-së?
Hasani: Kushtin e vetëm që kam kërkuar e kam gjetur pikërisht në këtë subjekt politik. Aty ku do të rreshtohem lideri të jetë një person që e do vendin dhe që punon për shtetin e Kosovës dhe i cili punon për zhvillimin ekonomik të vendit, pra ky ka qenë kushti që kam kërkuar për t’u bërë pjesë e AKR-së. Këtë e kam gjetur në AKR. Qëllimi im është që të punojmë me të gjitha forcat që shtyllën e parë të shtetit, që është sistemi i drejtësisë, ta vëmë në binarë, ta bëjmë një veting, një filtrim për gjyqtarët dhe prokurorët për faktin se sistemi i drejtësisë është çelësi kryesor për të gjitha hallkat e tjera të shtetit.
Nga lagjja juaj është edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari. Sa mendoni se qytetarët e kësaj komune janë të kënaqur me qeverisjen e tij?
Hasani: Bekim Jashari është djali i heroit kombëtar Hamëz Jashari dhe është kryetar komune. Si kryetar komune i pavarur që nga dita e parë e punës së tij shihen rezultatet e suksesshme. Unë dhe të gjithë qytetarët e Skenderajt ndihemi krenarë me punën që është duke e bërë z. Bekim Jashari. Ne do ta mbështesim në çdo aspekt, kudo qoftë, programin e tij në të mirë të Komunës së Skenderajt. Kam respekt për kryetarin e Komunës së Skenderajt, z. Bekim Jashari. Mbështetja për të nuk do të mungojë./telegrafi
Begaj dënon sulmin në kanalin e Ibër Lepencit: Akte terroris...
Gjuriq për shpërthimin në Ibër Lepenc: Serbia është e gatshm...
Vetura godet dy këmbësore në Vushtrri
Gjendet pa shenja jetë një burrë në parkingun e QKUK-së
Qorolli: Sulmi në Zubin Potok është i ngjashëm me atë që Rus...
KOSTT: Furnizimi me rrymë i sigurt