Kohë zgjedhjesh, ‘lulëzojnë’ tenderët për asfalt

10:06 | 2 Tetor 2019
Arbresh.info

Me dhjetëra tender për asfaltim të rrugëve në Kosovë janë hapur e janë dhënë që nga fillimi i fushatës zgjedhore.

Vetëm më 25 shtator, kur zyrtarisht filloi fushata figurojnë tre të tillë. Në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit publik në këtë dit është bërë publike hapja e një tenderi nga komuna e Prizrenit dhe dy njoftime për dhënie të kontratës nga komunat, Fushë Kosovë dhe Shtime.

Gjithashtu në të njëjtin njoftim thuhet se tenderi i hapur nga komuna e Prizrenit ka të bëjë me ‘ndërtimin e infrastrukturës rrugore në rrugët lokale në Kobaj faza e dytë” me vlerë të parashikuar të kontratës prej 120 mijë euro.


Ndërsa kontrata për ‘asfaltimin e rrugëve Pajazit Islami dhe Naser Sekiraça’ në Fushë Kosovë është nënshkruar me kompaninë ” VISCO ” SH.P.K për 12 mijë e 380 euro. Në këtë tender kishin aplikuar tri kompani.

E kontrata e nënshkruar për “asfaltimin e rrugëve në Muzeqinë” në komunën e Shtimes është nënshkruar me kompaninë “KOSOVA ASFALT SH.P.K.” për 9 mijë e 995. Në këtë tender kjo e fundit ishte kompania e vetme që kishte aplikuar.

Në dytën e dytë të fushatës zgjedhore më 26 shtator figurojnë dy njoftime për dhënie të kontratës, një nga komuna e Podujevës dhe një nga komuna e Ranillugut.
Komuna e Podujevës kontratën me titull “asfaltimi i disa rrugëve në fshatin Dobratin” ia ka dhënë kompanisë “KOSOVA ASFALT SH.P.K.” në vlerë prej 20 mijë e 556 euro e cila ishte edhe kompania e vetme që kishte aplikuar.

Ndërsa komuna e Ranillugit, kontratën me titull ‘asfaltimi i rrugëve në Komunë’ ia ka dhënë kompanisë “VARNA SH.P.K.” në vlerë prej 119 mijë e 197 euro. Në këtë tender kishin aplikuar gjithsej 4 kompani ndërsa çmimi më i lartë i ofruar ishte 134 mijë e 389 euro.

Më 27 shtator, ditën e tretë e fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë në KRPP janë bërë publike 1 njoftim për kontratë, 3 njoftim për nënshkrim të kontratës, 3 njoftim për dhënie të kontratës.

Kuvendi Komunal i Prizrenit në këtë dit ka hapur tenderin me titull ‘Ndërtimi i rrugëve me elemente betoni në fshatin Korish’ që përfshin ndërtimin e 14 rrugicave me elemente betoni ne fshat me vlerën e parashikuar prej 264 mijë e 17 euro.

Komuna e Obiliqit dhe ajo e Shtimes kanë bërë publike njoftimet për nënshkrim të kontratës. E para tenderin me titull ‘punë shtesë{Asfaltimi i rrugëve në fsh Breznicë & Kozaricë’ me fitues kompaninë ‘GURËBARDHI SH.P.K.’ në vlerë prej 13 mijë e 208 euro dhe tenderin me titull ‘Ndërtimi i rrug.në Fsh.Babimoc & Plemetinë’ me fitues grupin e Operatorëve Ekonomik Bujar Shabani B.I.; VB INVEST SH.P.K. në vlerë prej 60 mijë e 585 euro.

 

Ndërsa komuna e Shtimes dhe ajo e Skenderajt në këtë ditë kanë bërë publike njoftimet për dhënie të kantratës.

Në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik thuhet se komuna e Skenderajt për kontratën me titull ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatin Izbicë-faza II’ ka shpallur fitues kompaninë ‘N.N. R & RUKOLLI SH.P.K.’ me vlerë prej 478 mijë e 992 euro ndërsa komuna e Shtimes për kontratën me titull “Asfaltimi i rrugëve dhe kanalizimeve në fshatrat Belinc, Çestë e Reçakut dhe rruga William Walker”( Punë shtesë)’ ka shpallur fitues kompaninë ‘Dashnim Jashari B.I.’ në vlerë prej 14 mijë e 899.

Ndryshe Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ishte kritikuar për shuma të madhe të buxhetit të Kosovës të shpenzuar në asfaltim të rrugëve. Qysh me miratimin e buxhetit ekspertët ishin shprehur të shqetësuar për orientim të madh të buxhetit në infrastrukturë rrugore./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme