Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve po vazhdojmë me hetimin për procedurën e shkarkimit të Presidentit Donald Trump, duke i dërguar kërkesa ligjore për dokumenta avokatit të tij personal dhe Sekretarit të Shtetit, si edhe me seanca të planifikuara këtë javë me ish-zyrtarë të përfshirë në politikën mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës.
Ata thonë se zotit Trump kërkoi ndihmën e Presidentit ukrainas për të gjetur informacion inkriminues për rivalin e tij politik, ish-nënpresidentin Joe Biden.
Krerët e Komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, Zbulimin dhe Mbikqyrjen i kanë dhënë kohë deri të enjten Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo që ndodhetnë Itali, për të paraqitur dokumenta lidhur me hetimin që u hap pasi një informator bëri një ankesë ku shprehej shqetësimi se zoti Trump po “përdorte kompetencat e postit për të nxitur ndërhyrje nga një vend i huaj në zgjedhjet e vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara”.
Krerët e komisioneve i dërguan gjithashtu kërkesë ligjore avokatit të presidentit Trump, Rudy Giuliani me një afat deri më 15 tetor.
Ata shkruanin në kërkesë se “informacione publike në rritje, përfshirë vetë deklaratat tuaja, tregojnë se Presidenti, ju dhe të tjerë duket se i keni bërë presion qeverisë ukrainase që të bëjë dy hetime të motivuara politikisht”.
Aleatët republikanë të Presidentit Trump vazhdojnë të këmbëngulin se demokratët janë të motivuar politikisht.
Presidenti Trump ka vazhduar ta mbrojë telefonatën me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky me komente në Twitter dhe të hënën sulmoi kreun e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Adam Schiff:
“Telefonata ime ishte e përkryer. Informatori që njoftoi për të e paraqiti si të tmerrshme. Dhe pastaj, Adam Schiff, edhe më keq, i sajoi fjalët e mia gjë që unë mendoj se është e tmerrshme. Kongresmeni Adam Schiff, i shpiku ato që thashë unë. Arsyeja është se kur pa përmbajtjen e telefonatës sime me presidentin e Ukrainës, ishte aq në rregull saqë ai nuk e citonte dot sepse nuk kishte asgjë të gabuar. Ishte e përkryer…”
Zoti Trump sugjeroi dje se zoti Schiff, duhet të arrestohet për “tradhti”.
Presidenti gjithashtu vazhdon të këmbëngulë se duhet të “takojë akuzuesin” e tij dhe ka paralajmëruar për “pasoja të rënda!”
Informatori që bëri ankesën pritet të dëshmojë para ligjvënësve, por data nuk është caktuar ende.
Sipas ligjit, informatorët mund të njoftojnë për qëndrime që ata i konsiderojnë të papërshtatshme, duke mbrojtur identitetin e tyre dhe pa frikën e hakmarrjes.
“Të përpiqesh të penalizosh dhe kritikosh dikë se ndjek ligjin për shkak të akuzave se president nuk ka ndjekur ligjin, është diçka që e ul dinjitetin e postit të presidentit, nga i cili amerikanët presin më shumë”, thotë John Hudak, i institutit Brookings.
Sipas ankesës së informatorit, zoti Trump kërkoi ndihmën e Presidentit ukrainas për të gjetur informacion inkriminues për rivalin e tij politik, ish-nënpresidentin Joe Biden dhe të birin e tij Hunter, që do të dëmtonte shanset e demokratit për t’u kandiduar nga partia e tij dhe për ta sfiduar atë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Të mërkurën , ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch, të cilën zoti Trump e shkarkoi para disa muajsh do të dëshmojë para komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin. Të enjten para të njëjtin komision, dëshmon ish-i dërguari i posaçëm amerikan për Ukrainën, Kurt Volker, që dha dorëheqjen javën e kaluar. /voa
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Zeqiri: Cak i këtij sulmi ka qenë...
Sulmet në Zveçan e Ibër Lepenc, policia me aksion për identi...
Gërvalla: Pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të institucio...
Hoxhaj: Shpërthimi në Ibër Lepenc, akt i papranueshëm që cen...
Mediat ndërkombëtare raportojnë pas shpërthimit në Ibër Lepe...
Pas shpërthimit të mbrëmshëm, forca të mëdha të KFOR-it dhe ...