Haradinaj: Breza e breza të studentëve kanë sakrifikuar për liri

14:42 | 1 Tetor 2019
Arbresh.info

“Breza e breza të studentëve kanë sakrifikuar për liri, e disa kanë rënë në fronte të luftës, që t’i kushtohemi nxënies së dijes, por edhe vlerave tona si vend”, kështu tha kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës që i bëri sot Qendrës së Studentëve, në Prishtinë, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.

Haradinaj i shoqëruar nga drejtori i kësaj qendre, Fatmir Sfishta dhe ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka vizituar konviktin Nr. 7 dhe atë Nr.8, ku ka parë nga afër kushtet dhe ambientet në të cilat banojnë studentët.

Po ashtu, Haradinaj vizitoi edhe mensën e studentëve, me ç’rast ka drekuar së bashku me studentët e qendrës.

Me këtë rast, Haradinaj tha se është me rëndësi që të shihet në praktikë gjendja në konvikte, ku nga drejtori Sfishta është njoftuar se janë 4 mijë studentë të akomoduar në konvikte dhe 2500 të tjerë që kanë të drejtë në shujtë.

“Qeveria që kam udhëhequr ka punuar që të jetë afër të rinjve, studentëve, afër arsimit të lartë, të mesëm dhe të ultë dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke uruar studentët për një vit të mbarë dhe duke shprehur respekt për gjithë kontributin e rinisë studentore në të gjitha etapat.

“Krejt kjo që po shihet nuk do të ishte pa përkrahjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, me angazhimin tonë dhe mirëkuptimin e studentëve, që jeta në qendrën studentore të jetë më atraktive dhe të jetë në shërbim të studimit të tyre”, tha drejtori Fishta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme