Google ADS

Erdogan: Vrasës të Khashoggit shijojnë mosndëshkimin

08:43 | 1 Tetor 2019
Arbresh.info

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të hënën se vendi i tij do të vazhdojë përpjekjet për të gjetur të vërtetën që fshihet pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, vitin e kaluar, në konsullatën saudite në Stamboll.

Gati një vit pas vrasjes së Khashoggit nga agjentë sauditë të nisur nga Riadi, Erdogan tha se Turqia do të dijë se ku është trupi i tij dhe kush e ka autorizuar operacionin, duke sugjeruar se ai është kryer nga agjentë të një “shteti në hije” në Arabinë Saudite.

Sunduesi de facto i Arabisë Saudite, princi i kurorës, Mohammed bin Salman, tha në një intervistë për transmetuesin amerikan CBS se ai nuk e ka urdhëruar vrasjen e Khashoggit, edhe pse mban përgjegjësi si udhëheqës i vendit të tij.

Njëmbëdhjetë sauditë të dyshuar janë në gjyq, ndonëse janë mbajtur vetëm disa seanca dëgjimore.

Një raport i Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për hetimin e princit Mohammed dhe të zyrtarëve të tjerë sauditë.

CIA dhe disa qeveri perëndimore kanë thënë se besojnë se princi e ka urdhëruar operacionin – pretendime këto që zyrtarët sauditë i kanë mohuar vazhdimisht.

Khashoggi, gazetar saudit dhe kolumnist i gazetës Washington Post, ka qenë kritik i politikave të princit të kurorës.

Ai është parë për herë të fundit duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor, ku është dashur të marrë disa dokumente për martesë.

Sipas zyrtarëve turq, trupi i tij është gjymtuar dhe larguar nga ndërtesa, ndërsa eshtrat e tij nuk janë gjetur.

Në një artikull për gazetën Washington Post, Erdogan tha se fakti që vrasësit kanë udhëtuar me pasaporta diplomatike dhe “e kanë shndërruar ndërtesën diplomatike në një skenë krimi” vendos një precedent të rrezikshëm.

“Ndoshta më i rrezikshëm është mosndëshkimi që disa nga vrasësit duket se po e shijojnë në mbretëri”, tha Erdogan, duke shtuar se “ka mungesë gati të plotë të transparencës” në gjyqet që po zhvillohen.

Erdogan tha se Turqia vazhdon ta shohë Arabinë Saudite si mike dhe aleate, porse kjo nuk do të thotë se Ankaraja do të heshtë./Rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme