Bajrami viziton universitetin “Haxhi Zeka”

17:24 | 6 Tetor 2015
Arbresh.info

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka vizituar Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, ku ka folur për zhvillimet në këtë universitet dhe përkushtimin për cilësi dhe modernizim të mësimdhënies.

Bajrami ka thënë se, Universiteti “Kadri Zeka” vazhdon të jetë sfidë në ndërtimin e kapaciteteve të larta, në mënyrë që të plotësoj kërkesat e ekonomisë së rajonit të Gjilanit dhe të shndërrohet në promotor të edukimit të arsimit të lartë të kësaj treve.

“Është fat i mirë që ky vit akademik, në 7 universitete dhe 24 kolegje private po fillon me një kërkesë substanciale për studentët, që është studime cilësore, diplomë e respektuar dhe që siguron punësim”, citohet të ketë thënë ministri Bajrami.

Ai po ashtu ka thënë se në bashkëpunim me rektorin e këtij universiteti, do të punojë që ky universitet të ndërtojë identitet dhe të jetë i kërkuar nga studentët e gjithë Kosovës.

Ndërsa, rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi ka thënë se do të kërkojë përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës, në ngritjen e kapaciteteve akademike dhe infrastrukturore, transmeton Klan Kosova.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme