SHBA vendos sanksione të reja kundër subjekteve ruse

21:05 | 30 Shtator 2019
Trina Galanxhi

Në shkurt 2018, Departamenti amerikan i Drejtësisë paditi Agjencinë e Kërkimit në Internet dhe dy kompani të tjera të kontrolluara nga Prigozhin – Concord Management dhe Concord Catering – si dhe vetë pronarin Prigozhin dhe 15 individë të tjerë rusë për mashtrim të dyshuar “me qëllimin e ndërhyrjes në proceset politike dhe zgjedhore në SHBA, përfshirë zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.”

Prigozhin, i cili nganjëherë quhet “kuzhinier i Putinit” për shkak të biznesit të tij të hotelerisë, kontrollon edhe firmën private të sigurisë Vagner, e cila ka dërguar mercenarë rusë për të luftuar në Ukrainë, Siri dhe në disa vende afrikane.

Në vitin 2016, Uashingtoni vendosi sanksione personale ndaj Prigozhin në lidhje me mbështetjen e tij për aneksimin nga Moska në vitin 2014 të rajonit ukrainas të Krimesë. Në qershor 2017, sanksione u vendosën edhe mbi firmën Concord Management për përfshirjen e saj të dyshuar në luftën e mbështetur nga Rusia në disa pjesë të Ukrainës lindore.

Deklarata e Departamentit të Thesarit e datës 30 shtator, thekson se aktivitetet e Prigozhin dhe Agjencisë së Kërkimit në Internet nuk e rrezikuan legjitimitetin e zgjedhjeve të vitit 2018.

Sanksionet e reja përfshijnë tre persona juridikë të regjistruar në Seychelles dhe gjashtë shtetas rusë që besohet të kenë lidhje me Agjencinë e Kërkimit në Internet.

Deklarata e Departamentit të Thesarit identifikoi tre avionë privatë dhe një jaht si të regjistruar në subjektet e lidhura me Prigozhin. Deklarata paralajmëron se kompanitë që ofrojnë shërbime për ta mund të jenë objekt sanksionesh.

Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha në një deklaratë se “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë gurthemeli i demokracisë amerikane, dhe ne do t’i përdorim autoritetet tona kundër kujtdo që kërkon të minojë proceset tona dhe të ndikojë mbi votuesit me mënyra subversioni”./voa/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme