Rashica në formacionin e javës në Bundesligë, pas kthimit të bujshëm nga lëndimi

14:28 | 30 Shtator 2019
Arbresh Info

Milot Rashica është rikthyer nga lëndimi duke lënë gjurmë të menjëhershme në Bundesligë – ligën elitare gjermane – këtë fundjavë sepse me paraqitjen e tij të shkëlqyer, përfshirë golin fantastik, në barazimin e Werderit me Dortmundin, kosovari e zuri një vend në formacionin e javës.

Ylli i Kombëtares së Kosovës Rashica shënoi gol të mrekullueshëm në barazimin 2:2 të Werderit kundër Dortmundit në Signal Iduna Park, të shtunën.

Anësori nga Vushtrria po vinte nga një lëndim i gjatë muskulor, dhe po e bënte vetëm paraqitjen e parë si titullar që prej muajit gusht. Por, kjo nuk mundi ta parandalojë atë të shndrit kundër gjigantit Dortmund.

Mediumi gjerman, Sportschau e ka vlerësuar lart paraqitjen e 23-vjeçarit duke e zgjedhur atë në formacionin e javës në Bundesligë.

Sportschau e ka lartësuar Rashicën si lojtar me klasë të shtuar dhe si një aset të vërtetë për Werderin.

“23-vjeçari i Werderit mungonte katër ndeshje shkaku i lëndimit. Kundër Dortmundit, Rashica qe në gjendje të vrapojë përsëri nga fillimi dhe pas vetëm shtatë minutave e tregoi klasin shtesë që e ka: pranim i përkryer i topit dhe goditje e përkryer të goli i parë i Werderit. Ai i pati katër goditje në drejtim të portës, më shumë se çdo bashkëlojtarë i tij. Për më tepër, Rashica ishte aset. Në minutën e 74-të, ai u largua nga fusha i dërrmuar”, shkruan mediumi gjerman për paraqitjen e Rashicës kundër Dortmundit.

Paraqitje e së shtunës tregon se kosovari e ka lënë pas lëndimin në kofshën e këmbës së majtë, të cilin e pësoi në një ndeshje të Werderit ndaj Fortuna Dusseldorfit në Bundesligë kah mesi i muajit gusht.

Si pasojë e atij lëndimi, Rashica i humbi katër ndeshje me ekipin dhe dy me Kombëtaren e Kosovës gjatë shtatorit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme