“BE duhet t’i japë Turqisë ndihmë financiare shtesë”

14:55 | 28 Shtator 2019
Arbresh.info

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn i bëri thirrje sot BE-së të sigurojë ndihmë shtesë financiare për Turqinë, në mbështetje të projekteve për refugjatët sirianë në këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Asselborn për të përditshmen gjermane “Neue Osnabrucker Zeitung” tha se Turqia është duke bartur një barrë të paimagjinueshme duke u kujdesur për 3.5 milionë refugjatët sirianë që nga shpërthimi i luftës në Siri në vitin 2011.

“Për mua është e qartë se (Turqia) ka nevojë për këtë. Prandaj, BE-ja duhet të sigurojë ndihmë financiare shtesë për të ndihmuar refugjatët sirianë në Turqi”, theksoi ai duke shtuar se ndihma financiare e BE-së do të përdoret në projekte të ndryshme, si kujdesi shëndetësor elementar dhe ofrimi i arsimit për fëmijët refugjatë.

Si pjesë e marrëveshjes për refugjatët midis BE-së dhe Turqisë të arritur në vitin 2016, blloku 28 anëtarësh premtoi 6 miliardë euro (6.6 miliardë dollarë) në ndihma për periudhën 2016-2019 në drejtim të përmirësimit të kushteve të jetesës për refugjatët sirianë në Turqi. Por, deri më tani vetëm 3.71 miliardë euro janë kontraktuar dhe 2.57 miliardë euro janë lëshuar.

Pengesat burokratike dhe vonesat e BE-së për përmbushjen e fondit të premtuar kanë shkaktuar kritika të ashpra nga politikanët turq.

Më herët gjatë këtij muaji, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan kritikoi vendet anëtare të BE-së për mos përmbushjen e tërësishme të marrëveshjes për refugjatët dhe u bëri thirrje të ndërmarrin hapa të sinqertë për ndarjen e barrës së krizës së refugjatëve.

Turqia aktualisht ka strehuar rreth 3.5 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë. Ankaraja deri më tani ka shpenzuar 40 miliardë dollarë për refugjatët, tregojnë të dhënat zyrtare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme