Rrjetet sociale mund të sjellin më shumë votues se tubimet elektorale

07:59 | 28 Shtator 2019
A. B.

Partitë politike në Kosovë nuk po hezitojnë që t’i sponsorizojnë shkrimet, videot, fotografitë e postimet e ndryshme në rrjetet sociale, ku herë pas here në to ka edhe ndonjë mesazh për kundërshtarët e tyre politikë.

Për një praktikë të tillë e cila ka filluar qysh nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit, ekspertët e rrjeteve sociale thonë se një strategji e tillë është fokus i partive politike.

Ndërsa për nivelin e shpenzimeve ata thonë se mund të kushtoj deri në dhjetëra euro.

Mentor Hoxhaj, njohjes i rrjeteve sociale si dhe udhëheqës i CSP, në një prononcim për arbresh.info thotë se pasi që nuk mjaftojnë vetëm sponzorizimet dhe postimet, partitë shfaqin investimet e tyre në ndërtimin e profileve mbështetëse.

“Partitë politike në Kosovë, shihet që kanë vënë në fokus rrjetet sociale. Por kjo formë e fushatës për nga qasja tregon që është në hapat e saj të parë.  Ngase nuk mjafton vetëm të postosh dhe ta sponsorizosh atë. Niveli i shpenzimeve momentalisht ende është në nivele relativisht të ulëta. Partitë më shumë janë të fokusuara në ndërtimin e profileve dhe faqeve mbështetëse, ku investimet e tyre aty nuk mungojnë”, tha Hoxhaj.

E veç fushatës, Hoxhaj thotë se përmes rrjeteve sociale po bëhet edhe propagandë politike.

“Rrjetet sociale kanë një impakt jashtëzakonisht të madh me mundësi të panumërta për të ndërvepruar dhe bashkëbiseduar me votuesin e mundshëm. Por, rrjetet sociale, me përjashtim të një lideri, janë të fokusuara ta ‘shesin’  aktivitetin dhe të bëjnë propagande politike, e jo të komunikojnë me votuesin. Varet nga personi që merret me rrjetet sociale,  kjo mund të kushtoj nga 0.1 cent gjer në dhjetëra euro”, tha Hoxhaj.

Ekperti i rrjeteve sociale, Driart Elshani, thotë se partitë politike shpenzojnë shumë, mirëpo e gjithë kjo mund të vërehet pas zgjedhjeve.

“Është e vështire te parashikohet aktualisht sa shpenzojnë partitë politike gjate kohës se zgjedhjeve ne rrjetet sociale por mund te shkoje nga disa mijëra deri ne qindra mijëra euro. Kjo do te mund te vlerësohet pas zgjedhjeve”, thotë Elshani për arbresh.info.

Ndërsa si fushatë më të efektshme e sheh promovimin në rrjete sociale, pasi që sipas tij këto lloj promovime janë shumë më të rëndësishme për marrjen e votave.

“Promovimi ne rrjetet sociale është shumë i efektshëm sepse mundësohet targetimi i audiencës. Efektet do te shihen pas zgjedhjeve dhe do te shihni qe subjektet politike te cilat kane promovuar me shume postime ne rrjetet sociale kjo do te përkthehet ne vote masive. Efekti i promovimit ne rrjetat sociale nuk duhet te nënvlerësohet, përkundrazi mendoj qe ne këto zgjedhje promovimi jo vetem qe do te ketë efekt te larte por edhe do te jete një faktor tepër i rëndësishëm për marrjen e votave”, thotë Elashani.

Që një artikull sponsorizues të arrijë tek shumë njerëz, Elashani thotë se mund të variojë nga kohëzgjatja e një artikulli të sponsorizuar dhe nga vendndodhja e audiencës.

“Sa duhet te investohet varet nga shume elemente siç janë numri i personave qe dëshirojmë te arrijmë, kohëzgjatja e sponsorizonit dhe vendndodhja e audiencës. Kjo mund te varioje pra ne funksion te kohëzgjatjes për secilin artikull te sponsorizuar”, thotë Elshani.

Ndërsa për analistin e çështjeve politike në vend, Shkodran Ramadanin, partitë politike një qasje të tillë e kanë parë si të domosdoshme, për shkak numrit të madh të përdoruesve të rrjeteve sociale.

“Për shkak të revolucionit teknologjik dhe arritjet që kë bërë bota në këtë fushë, edhe për shkak se rrjetet sociale tani janë të pandashme pothuajse në jetët tona, është shkrirë kufiri mes botës virtuale dhe asaj reale. Kështu që ka qenë e domosdoshme që partitë politike ta shtrijnë fushatën e tyre edhe në rrjetet sociale, për shkak të një numëri të madh të përdoruesve”, thotë Ramadani.

Pavarësisht impaktit të rrjeteve sociale tek njerëzit, Ramadani thotë se as tubimet gjatë fushatave nuk e humbin efektin e vet, sidomos për ata persona që nuk kanë qasje në rrjete sociale.

“Facebook në këtë rast është shumë i rëndësishëm, por tubimi në fushata nuk mund ta humb efektin e vet. Sidomos për të moshuarit”, thotë Ramadani.

Ramadani po ashtu thotë se sponsorizimi i artikujve online, është një strategji e partive politike.

“Shoqëria ka evoluar shumë, njerëzit nuk janë më entuziast për parti politike siç kanë qenë në të kaluarën. Edhe për shkak se nuk duan të identifikohen. Kjo ka qenë edhe një nga arsyet që ka detyruar partitë politike ta ndërrojnë strategjinë”, thotë Ramadani.

Kujtojmë se të gjitha partitë politike, qysh para fillimit të fushatës, kanë filluar ta përdorin këtë si formë marketingu, duke e pas parasysh ndikim e rrjeteve sociale tek njerëzit./E.Haxhiu/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme