Hoxha: Koalicioni Nisma-AKR-PD do të ketë 15 deputetë

01:06 | 28 Shtator 2019
Trina Galanxhi

Fazli Hoxha nga Nisma Socialdemokrate në Interaktiv të KTV-së ka thënë se koalicioni Nisma-AKR-PD do të ketë 15 deputetë, dhe do të jetë vendimtare për krijimin e qeverisë së re.

Ai ka thënë se e kanë të lehtë tani në fushatë sepse kanë qenë në kontakt me qytetarin përgjatë dy viteve, sa ishin në qeverisje.

“Jemi në aktivitete të përgjithshme dhe jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët, për ne është më e lehtë pasi për këto dy vjet në qeverisje jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe kemi përkrahjen e qytetarëve të Gjakovës dhe të Kosovës. Jemi në bashkëqeverisje me AAK-në dhe programi po realizohet në përgjithësi e infrastruktura rrugore do të përmbyllet totalisht gjatë këtij mandati”, u shpreh Hoxha.

Ai thotë se i kanë orientuar të rinjtë që të regjistrohen në zyrën e punësimit dhe kanë kryer trajnime të ndryshme profesionale.

“Gjakovës do t’i kthehet dinjiteti, pra me punë e projekte të ndryshme. Nisma në Gjakovë ka mbi 2 mijë anëtarë. Tash na është bashkuar edhe struktura e AKR-së dhe do të na bashkohen të gjithë ata që janë të pakënaqur me qeverisjet e deritanishme. Jemi të kënaqur që Nisma është kthyer në shpresë për qytetarët e Gjakovës”, ka thënë ai.

Tutje Hoxha ka shtuar se koalicioni Nisma-AKR-PD është koalicion i fitores, pasi ngërthen në vete njerëz profesionistë dhe janë oferta më e mirë për qytetarët e Kosovës.

“Unë garoj pasi dua të jem në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Ky është mision sepse do të merren vendime historike për vendin e Kosovës e parlamentit i duhen njerëz që nuk ndikohen. Do të jem deputet, jam i bindur se qytetarët do të më japin besimin. Do të insistoj që në secilën komunë të hapen zyre për deputetët, nga të gjitha partitë, në mënyrë që ata të kenë kontakte direkte me qytetarët dhe problemet e tyre t’i ngritin në parlament. Nuk është koha më të blihet besimi i qytetarëve por ajo të fitohet”, ka deklaruar Hoxha.

Ai thotë se Limaj e meriton të jetë kryeministër pasi është lider unifikues.

“Limaj është lider unifikues, është dëshmuar në shumë raste. Ka dëshmuar se është një lider që kërkon unitet të përbashkët në temat nacionale dhe ato të dallohen nga ato partiake. I vetmi lider që do të përmbyllë çështjen e dialogut së bashku me partitë të tjera. Temat e mëdha duhet të na bashkojnë”, ka thënë Hoxha, derisa ka shtuar se Nisma do të ketë rol vendimtar në formimin e qeverisë së re. “Mbi 15 deputetë do t’i fitojmë dhe do të jemi vendimtar në formimin e qeverisë së re, pasi ajo nuk mund të formohet pa këtë koalicion”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme