Asnjë qeveri e ardhshme nuk mund ta zmbrapsë Thaçin nga dialogu me Serbinë

07:56 | 28 Shtator 2019
Arbresh.info

Çfarëdo që të ndodh pas gjashtë tetorit dhe kushdo që të vijë në pushtet, prapë se prapë nuk mund ta zmbraps rolin dhe ndikimin presidentit, Hashim Thaçi, në dialogun Kosovë-Serbi.

Të paktën kështu shprehen njohësit e çështjeve politike në vend.

Analisti Fatmir Sheholli, thotë se presidenti Thaçi do ta ketë rolin e njëjtë si deri tash, edhe pas gjashtë tetorit.

“Roli dhe ndikimi i presidentit Thaçi pas gjashtë tetorit do të jetë ai që e ka pasur deri tani. Kushtetuta e përcakton rolin e tij”, thotë Sheholli.

Se roli i presidentit në dialog me Serbinë përcaktohet nga disa faktor dhe nuk mundet lehtë të largohet nga ndikimi e thotë edhe Bekim Kabashi në një përgjigje dhënë arbresh.info.

Sipas tij  faktori ndërkombëtar do të kërkojë arritjen e një konsensusi sa më të gjerë të politikës kosovare për përfaqësim në këtë dialog, e aty sipas Kabashit  pa dyshim se do të kërkohet edhe roli i Presidentit.

“Roli i Presidentit në negociata me Serbinë përcaktohet nga disa faktorë. I pari do të duhej të ishte roli që ia përcakton Kushtetuta, por në këtë rast gjërat rrjedhin me ndryshe për faktin se rol përcaktues kanë palët që ndërmjetësojnë negociatat. Siç ka ndodhur në të kaluarën, e njëjtë pritet të ndodhë edhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit, pra negociatat Kosovë – Serbi, kurdo që ato rifillojnë, do të vijnë pas krijimit të ambientit që do ta bëjnë fuqitë ndërkombëtare që kanë rol në këtë proces. Ajo që pritet të ndodhë, është se faktori ndërkombëtar do të kërkojë arritjen e një konsensusi sa me të gjerë të politikës kosovare, për përfaqësim në këtë dialog. Aty pa dyshim se do të kërkohet edhe roli i Presidentit, si institucion, por në rastin konkret edhe si figure politike me ndikim siç është presidenti Thaçi. Shkaku i klimës politike kosovare, me divergjenca te mëdha, mendoj përfaqësimi në dialog nuk do të jetë i fokusuar te një udhëheqës, por te një ekipë, e cila do të përfaqësojë linjën institucionale në njërën anë, dhe në anën tjetër një unitet sa më të gjerë të spektrit politik në vend”.

Analisti, Blerim Burjani, mendon se pozita e Presidentit  rreth dialogut më Serbinë do të varet nga ajo se kush do të jetë mandatari për të udhëhequr me Qeverinë.

“Do të varet shumë se kush do të fitojë zgjedhjet dhe çfarë koalicioni pas zgjedhor do të ketë. Kjo është esenciale. Po ashtu është me  rëndësi të madhe që Kosova të këtë një kryeministër kredibil të përgatitur mirë, të guximshëm për vendimmarrje si dhe koalicioni i ardhshëm të ketë 80 vota për të aprovuar marrëveshje eventuale me Serbinë. Në të kundërtën s’ka gjë. Është shumë e varur prej zhvillimeve prej politikës në vend pas zgjedhjeve”.

Kujtojmë se gjatë qeverisjes së Ramush Haradinaj, ai që ka përfaqësuar Kosovën në dialog me Serbinë ishte presidenti, Hashim Thaçi, krejt kjo pasi që Haradinaj nuk kishte pranuara që të marr përsipër një përgjegjësi të tillë.

Edhe më e koklavitur situata ishte bërë në momentin kur partitë në pushtete kishin vendosur ta formojnë një Ekip Negociator në mënyrë që kompetencat për dialog mos t’i takonin presidentit, por i tërë mundi i tyre kishte shkuar dem pas vendimit të Gjykatës Kushtetues./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme