Vendimi për të emëruar një të dërguar të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është tashmë i sigurt. Kështu thonë burimet diplomatike për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë. Sipas tyre, vendimi ka gjasa të shpallet pas dëgjimit të shefit të ardhshëm të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në Parlamentin Evropian.
Mësohet se Borrell, i cili vazhdon të shërbejë si ministër i Jashtëm i Spanjës, i ka njoftuar me këtë ide edhe disa kolegë të vendeve të tjera të BE-së. Diplomatët, megjithatë, ende nuk flasin për emra konkretë të emisarit të ardhshëm, por thonë se ai, së paku, duhet të ketë ose të ketë pasur pozitën e ministrit të Jashtëm. Seanca dëgjimore e Borrellit në Parlamentin Evropian është caktuar për datën 7 tetor, kur edhe pritet të marrë konfirmimin zyrtar nga ky institucion.
Ideja për emërimin e një të dërguari evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë erdhi pasi administrata amerikane emëroi Mathew Palmerin të dërguar të posaçëm për Ballkanin. Ky vendim i Uashingtonit, në këmbim me sfondin politik të Borrellit, i cili vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, thuhet se ka ngritur çështjen e emërimit të një personi të ri që të merret drejtpërdrejt dhe në mënyrë aktive me dialogun Kosovë-Serbi.
Procedura për emërimin e këtij emisari, sipas pritjeve të diplomatëve, duhet të përfundojë përpara se Borrell të marrë detyrën e shefit të diplomacisë evropiane, përkatësisht para 1 nëntorit të këtij viti. Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i cili tash e sa vite është ndërmjetësuar nga kreu i diplomacisë evropiane, është ndërprerë qëkur Kosova u ka vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.
Përkundër thirrjeve të BE-së dhe SHBA-së për heqjen e kësaj takse, autoritetet në Kosovë nuk kanë ndryshuar qëndrim. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pa heqjen e taksës, dialogu nuk do të vazhdojë./rel/
Nagavci: Të gjithë fëmijët shqiptarë mësojnë me abetaren e p...
Ministri Maqedonci thirrje të rinjve që të aplikojnë në FSK:...
“Mashtrimet nëpërmjet internetit”, Policia del me njoftim si...
PDK kërkon seancë për shkarkimin e bordit të RTK-së
Shqiptarët e nisin protestën në Preshevë për shkelje nga Ser...
Presidenti Begaj takohet me të Dërguarin e Posaçëm të Kryemi...