Vuçiq: Kemi bërë punë të mirë në New York, tani kjo e pret Kosovën

10:27 | 26 Shtator 2019
Arbresh Info

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka shpjeguar angazhimin e delegacionit serb në New York.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq para fjalimit të sotëm në Kombet e Bashkuara, ka thënë se delegacioni serb në New York ka bërë punë të mirë si ekip dhe theksoi se nuk është e rastësishme që në periudhën e ardhshme do të ketë shtete të tjera që do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre për Kosovën.

Vuçiq në deklaratën e tij para gazetarëve, pas takimit me shefin e diplomacisë ruse, Sergej Lavrov në selinë e OKB0-së, ka thënë: “Disa kishin thënë se jemi duke vrapuar kudo, në çdo vend. Kemi biseduar me përfaqësuesit e shteteve që janë respektuar nga shumëkush. Po ashtu edhe të tjerë që kanë të drejtë vote në Kombet e Bashkuara”, transmeton lajmi.net.

Vuçiq shprehu falënderimin e tij për anëtarët e ekipit serb të cilët në OKB, sipas tij, kanë luftuar vërtetë në mënyrë profesionale dhe të përgjegjshme e serioze për vendin e tyre, ashtu si ministri Daçiq dhe anëtarët e Misionit të Serbisë në Kombet e Bashkuara.

“Nuk kemi shumë para për gjëra të tilla, nuk mund të garojmë me disa të tjerë. Shikojeni çfarë bëjnë shtetet më të fuqishme myslimane, katolike, blejnë këto ndërtesa afër Kombeve të Bashkuara sikurse të jenë falas, e ato kushtojnë miliarda”, tha Vuçiq.

“Ne ato nuk i kemi dhe nuk mund t’i blejmë. Nuk e kemi as atë fuqi të lobimit e as paratë që shqiptarët përfitojnë pikërisht nga New York, Chicago e Detroit, më së tepërmi”, theksoi ai. Vuçiq mbetet i kënaqur nga angazhimi i delegacionit serb.

“Nuk kam thënë rastësisht se në periudhën e ardhshme numri i shteteve me të cilat kemi biseduar do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre për Kosovën. Për gjithçka duhet të luftoni. Nëse gjërat shkojnë në një drejtim dhe nëse ai caktohet si trend i ri. Është shumë i rëndësishëm angazhimi i njerëzve tanë”, tha presidenti serb.

Të ngjashme