Shala për dialogun: Duhet paramarrëveshje që Serbia ta ndalojë agresionin diplomatik ndaj Kosovës

23:53 | 25 Shtator 2019
Arbresh.info

Ministri në detyrë i Tregtisë, Endrit Shala i cili vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate, ka thënë se sjellja në mënyrë reciproke me shtetet ashtu siç e trajtojnë Kosovën, është mënyra e duhur për ruajtjen e dinjitetit të shtetit.

Shala në Zonën Zgjedhore pohoi që mjafton për secilin ministër të respektojë ligjet në dikasteret që veprojnë.

”Gjithë infrastruktura ligjore e Republikës së Kosovës, i jep të drejtën dhe mundësinë secilit ministër të Tregtisë dhe Industrisë të sillet reciprokisht me vendet siç ato e trajtojnë shtetin e Kosovës”.

”Pasi që Maqedonia të vendosi disa barriera ku e ndaloi eksportin e disa produkteve, unë kam vendosur të njëjtën masë bllokade për patate dhe mjaltë. Për të ruajt dinjitetin e Kosovës, Kosova duhet të sillet në mënyrë reciproke me secilin vend tjetër që sillet me Kosovën si shtet që do të bëjë tregti”.

”Ne vetëm duhet të respektojmë ato ligje në dikasteret që qëndrojnë. Ne kemi dhënë shembull por tani kemi fokus kryesor zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.”

”Dy javë para se të vendosej masa 100% ndaj produkteve serbe, kam marrë një vendim me të cilin kam ndaluar hyrjen e produkteve që iu referoheshin vendit tonë si ”Kosovë e Metohi”. Ky vendim nuk ka të bëjë fare me masën për taksën, ky vazhdon të mbetet në fuqi, dhe përderisa Serbia edhe ne institucione të veta nuk i lejon që Kosovës t’i referohet me emrin e saj kushtetues, ato mallra nuk do të futen në Kosovë”.

”Kosova ka të drejtë varësisht siç sillet Serbia në raport me Kosovën edhe në raportin tregtar të marrë masa reciproke në secilën fushë sic kam marrë masa edhe në rastin e produkteve për referim të emrit”.

Endrit Shala tha se qëndrimi i Nismas Socialdemokrate është që të nis dialogu dhe të arrihet deri tek njohja reciproke por fillimisht të ketë një paramarrëveshje për eliminimin e barrierave që po shkakton Serbia, njofton Klan Kosova.

”Qëndrimi i Nismës është që dialogu duhet të fillojë, duhet t’i dëgjojmë miqtë tanë ndërkombëtarë SHBA dhe BE që thonë me qëllim që të arrijë njohjen reciproke mes të dyja vendeve. Me qëllim që t’i hapim mundësi sa më të lehtë procesit të dialogut, para se ta eleminojmë këtë masë duhet t’i eliminojmë edhe arsyet që na kanë detyruar të vendosim këtë masë të tillë. Duhet të ketë një paramarrëveshje që Serbia nga ky moment të ndalojë agresionin politik dhe diplomatik në raport me Kosovën. Bëhet një listë për barrierat që duhet të eliminohen, e që të nis dialogu sa më shpejtë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme