Google ADS

Vogëlushja që mohon thënien “vajzat nuk mund të luajnë futboll”

10:08 | 25 Shtator 2019
Arbresh Info

9-vjeçarja Zeynep garon kundër djemve në fushën e akademisë së klubit francez Paris Saint-Germain në Turqi

Një vogëlushe turke ka kundërshtuar thënien se “vajzat nuk mund të luajnë futboll”, duke luajtur për akademinë e gjigantit francez Paris Saint-Germain (PSG) në Turqi.

9-vjeçarja Zeynep Karakavak, e cila ka tërhequr vëmendjen me aftësitë e saj në futboll dhe në pasionin për lojën, në fushë garon kundër djemve.

Ajo filloi të luajë futboll përkundër asaj se shokët talleshin me të.

“Shoktë talleshin me mua, duke thënë ‘vajzat nuk mund të luajnë futboll’, andaj unë fillova të luaj”, thotë Zeynep Karakavak

Prindërit e mbështetën Zeynepen pasi e panë që ajo është e pasionuar pas futbollit.

“Iu bashkova akademisë së PSG-së pasi luajta futboll në shkollën fillore për tre vite. Më pëlqen teksa luaj më shumë. Ndjehem më ambicioze pasi jam vajza e vetme në mesin e shokëve të mi”, thotë ajo.

Zeynep është vajza e vetme në kategorinë e 9-vjeçarëve dhe luan futboll me 16 djem në akademinë e PSG-së.

“Ëndërra ime më e madhe është të shkoj në Paris të luajë në fusha të vërteta”, thotë Zeynep, pozita e preferuar e së cilës është mbrojtja.

Trajneri i saj në akademinë që ndodhet në qytetin Bursa, Mücahit Samet Kahveci, vlerëson Zeynepen pasi ajo gjithnjë e më shumë po zhvillohet.

Kahveci ka punuar si trajner i portierëve në akademinë e PSG-së në Bursa.

“Zeynep ka bërë përmirësim maksimal. Ajo e do shumë futbollin dhe është jashtëzakonisht dinamike. Ajo është shumë punëtore. Dallimi i vetëm midis shokëve të saj meshkuj është gjinia e saj”, tha Kahveci.

Ai thekson se Zeynep në fushë mund të bëjë çdo gjë që edhe meshkujt mund të bëjnë.

“Në fakt ajo është më e mirë se disa djem në akademi”, thotë Kahveci duke vlerësuar aftësitë futbollistike të Zeynepes.

PSG ka kërkuar të rinj me perspektivë, duke filluar një projekt në mbarë botën me akademinë e futbollit në vitin 2005.

Ky klub ka akademi të futbollit në 15 shtete, duke përfshirë edhe Turqinë.

Në Turqi, ky klub ka katër kampe aktive, nga një në Ankara, Stamboll, Bursa dhe Antalya, ku trajnerët ekspertë francezë dhe turkë stërvitin të rinjtë.

Të paktën 13 mijë fëmijë i janë bashkangjitur aktiviteteve të akademisë këtë sezon, njoftojnë nga PSG nëpërmjet faqes zyrtare.

Klubi francez gjithashtu ka një skuadër profesioniste të femrave të quajtur “Paris Saint-Germain Féminine” që garon në ligën e parë franceze në kategorinë e femrave./AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme