Ymeri: Të ndërtojmë një marrëdhënie tjetër bashkëpunimi me ndërkombëtarët

23:54 | 24 Shtator 2019
Arbresh.info

Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD, Visar Ymeri, ka thënë se Kosova duhet të ketë marrëdhënie të mira me miqtë ndërkombëtarë, por raporti duhet të ngritet në një marrëdhënie tjetër partneriteti.

“Duhet ta kemi parasysh një gjë. Natyrisht që duhet vazhdimisht të insistojmë që me miqtë ndërkombëtarë t’i kemi marrëdhëniet e mira, veçanërisht me SHBA-të dhe BE-në. Veç a nuk duhet dhe a s’ka ardhur koha që ta ndërtojmë një marrëdhënie tjetër partneriteti?”.

“Taksa nuk i është vendos BE-së apo SHBA-së, por Serbisë. Prej se ka filluar dialogu Serbia është ajo që kushtëzon vazhdimisht. I tërë procesi i dialogut ka qenë i dizajnuar sipas partneritetit – jo vetëm sipas saj – por konturat janë vendosur nga ajo”.

Ymeri në Zona Zgjedhore tha se vazhdimisht Kosovës i është ngulitur një bindje inferioriteti në raport me Serbinë në dialog, prandaj edhe të humbë e drejta për të kërkuar më shumë.

“Republika e Kosovës dhe këtu mendoj se është për shkak të mënyrës se si është qeverisur ajo e ka pasë një raport sidomos në dialogun me Serbinë, një pozicion që ka qenë një lloj vetëinferioriteti. Te ne është ndërtuar si një bindje që ne jemi inferioirë dhe rrjedhimisht inferioriteti nënkupton që ti duhesh të kërkosh më pak, nuk ke të drejtë të kërkosh më shumë”.

“Këtë e shoh problematike veçanërisht me raportin e dialogut me Serbinë, jo me të tjerët. Me vendet tjera dhe ato mike ne do të ndërtojmë raporte të mira sepse ka njohje të ndërsjellë”.

“Në këtë drejtim po konsideroj që vendet të cilat e kanë ndihmuar dhe vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën duhet të kemi raporte miqësore dhe aleanca në fushën e sigurisë ku na kanë ndihmuar shumë e deri te përmbushja e nevojave ekonomike përmes bashkëpunimit”.

“Një gjë duhet ta kemi parasysh që Kosova për të qenë shtet dhe subjekt i denjë për partneritet duhet të jetë njëkohësisht i dinjitetshëm. Dinjiteti vjen edhe në aspektin juridiko-politik, subjektivitetin ndërkombëtar, ulësja në OKB”.

“Por edhe në raport me qeverisjen e brendshme dhe çka bën ajo për të ngritur Kosovën. Duhet të mendojmë që me këtë raport që e kemi me SHBA-në dhe individualisht me Britaninë e Madhe, Gjermaninë e të tjera, ta ngrisim në një nivel tjetër të bashkëpunimit”.

Edhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, duke u pajtuar me mendimin e bashkëpartiakut, tha se është ndër ata që më së shumti e shtyn bashkëpunimin me SHBA-në.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme