Google ADS

Fushata zgjedhore i çon partitë në vizita te bizneset

16:12 | 24 Shtator 2019
Arbresh Info

Bizneset në Kosovë janë bërë destinacion i shpeshtë i vizitave të partive politike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 6 tetorit.

Që nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve dhe ende pa filluar fushata, pothuajse të gjithë kandidatët për kryeministër të Qeverisë së Kosovës kanë realizuar vizita te bizneset e ndryshme në kuadër të aktiviteteve të parafushatës zgjedhore.

Gjatë këtyre ditëve, bizneset kanë marrë premtimet e partive garuese në zgjedhje dhe kandidatëve të tyre për kryeministër për zbatimin e lehtësirave fiskale, për mbështetje financiare për bizneset fillestare, për subvencionim të pagës deri në 50 për qind për punonjësit e ri në kompanitë prodhuese, grante për zgjerimin e bizneseve, rritje të pagës minimale e premtime tjera të ngjashme që u shkojnë në favor afaristëve.

Por, premtime të tilla nuk janë risi për bizneset në Kosovë. Sipas përfaqësuesve të kompanive private, jo të gjitha këto premtime realizohen, pasi që sipas tyre, pas zgjedhjeve, gjithçka ndryshon dhe premtimet shpesh harrohen.

Burim Piraj, pronar i industrisë së mishit Meka, tregon se brenda një periudhe të shkurtë kohore, kompaninë e tij e kanë vizituar disa kandidatë për kryeministër, por edhe përfaqësues të partive politike. Ai thotë po ashtu se ka kërkesa edhe për vizita tjera, të cilat sipas Pirajt, kanë munguar që nga fushata e kaluar zgjedhore e vitit 2017.

Piraj thotë së vizitat e tilla po shfrytëzohen në formë marketingu për fushatë, duke treguar se para shpalljes së zgjedhjeve ka tentuar të takohet më zyrtarë të qeverisë për të ngritur shqetësimet për barrierat me te cilat ballafaqohet kompania, por që nuk ka arritur të takohet me ta.

Ai thotë se në zgjedhjet e kaluara bizneseve prodhuese u ishte premtuar lirime nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për lëndën e parë, por që kjo ende nuk është përmbushur.

“Nga ato premtime që i kanë bërë në fushatën e kaluar, asgjë nuk është realizuar. Jam skeptik edhe kur është në pyetje realizimi i premtimeve aktuale edhe pse unë çdo njërit (kandidatit ose përfaqësuesve të partive politike) ia prezantoj problemet me të cilat ballafaqohemi. Por, nuk shpresoj shumë në premtimet që po paraqesin. Premtimet që ata ua bëjnë bizneseve gjatë fushatës, jo të gjitha realizohen, ngase pas fushatës ndryshon gjithçka”, tha Piraj për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, Bedri Kosumi, pronar i kompanisë Pestova, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë kohës së zgjedhjeve, përkatësisht fushatave, ai nuk pranon fare vizita nga partitë politike, duke mos e fshehur skepticizmin në premtimet që i bëjnë partitë politike gjatë proceseve zgjedhore.

“Duke u bazuar në të kaluarën, jemi skeptikë në realizimin e premtimeve të paraqitura. Uroj që të jetë ashtu siç, po premtojnë”, shprehet Kosumi.

Përfaqësues të komuniteteve të bizneseve konsiderojnë se vizitat e partive politike në biznese të ndryshme po realizohen për mundësinë e fitimit të votave.

Doruntina Gashi, zyrtare për informim në Odën e Afarizmit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se partitë politike nuk kanë shumë informacione për problemet me të cilat ballafaqohen bizneset, pasi nuk janë angazhuar para shpalljes së zgjedhjeve në këtë drejtim.

“Oda e Afarizmit të Kosovës në vazhdimësi ka njoftuar zyrtarët qeveritar me sfidat dhe kërkesat e bizneseve, kemi ofruar edhe propozime, rekomandime për zgjidhjen e problemeve për zhvillim ekonomik. Por, fatkeqësisht nuk i kanë marrë shumë seriozisht. Nuk dallon as opozita e cila nuk ka shfaqur ndonjë interesim për t’i mbështetur bizneset për zhvillim ekonomik. Ne kur i dërgojmë kërkesat tona, detyrohemi të presim me muaj të tërë për ndonjë përgjigje (nga autoritetet qeveritare) ose takim eventual (me ta). Kurse kur kanë interes për vota, shumë mirë po i dinë dyert e bizneseve”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, përmes një komunikate për media kanë paraqitur disa rekomandime për Qeverinë e re, me kërkesën kryesore për reforma në mjedisin e të bërit biznes, të cilat do kishin si pikënisje hartimin e një strategjie nacionale të zhvillimit ekonomik që në ditët e para të mandatit të qeverisë se re.

Në komunikatë thuhet se “vazhdimi i reformës në mjedisin e të bërit biznes, i cili do të mundësonte fuqizimin e sektorit privat dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, duhet të jetë prioritet i Qeverisë së re të Kosovës”.

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të caktuara për datën 6 tetor, pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të këtij viti.

Edhe pse fushata zgjedhore fillon të mërkurën, më 25 shtator, kjo nuk u ka penguar partive garuese në zgjedhje që t’i paraqesin tashmë pikat kryesore në programet e tyre, ku theksi vihet në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, sipas të cilëve, rritja ekonomike mund të arrijë deri në 6 për qind. /REL/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme