Vazhdimi i reformës në mjedisin e të bërit biznes, i cili do të mundësonte fuqizimin e sektorit privat dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, duhet të jetë prioritet i qeverisë së re të Kosovës.
Anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë besojnë se përmirësimi i sundimit të rendit e të ligjit, adresimi i boshllëkut të infrastrukturës transportuese dhe energjetike, si dhe boshllëkut të fuqisë punëtore duhet të jenë në thelb të kësaj reforme, ndërsa krijimi i një strategjie nacionale të zhvillimit ekonomik, duhet të jetë pikënisja e kësaj reforme, ashtu si edhe e të gjitha vendimeve në kuadër të qeverisjes ekonomike të Kosovës.
Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të demonstrojë me veprime konkrete angazhimin e saj për një zhvillim më të hovshëm të Kosovës, duke garantuar një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë, si bazë e rregullimit ekonomik të Kosovës dhe rrjedhimisht duke bërë të mundshme angazhimin e të gjitha kapaciteteve të ndërmarrjeve brendshme dhe atyre të jashtme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Strategjia nacionale e zhvillimit ekonomik do të duhej të ishte ndër dokumentet e para të prodhuara nga qeveria e re, duke pasuar një studim të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës të kapaciteteve dhe mundësive të vendit, duke përfshirë këtu edhe sektorët strategjikë në të cilët duhet të bazohet zhvillimi i qëndrueshëm i vendit. Rol të rëndësishëm në këtë aspekt mund të japë sektori privat dhe asociacionet e biznesit, përmes mekanizmave formalë të dialogimit duhet të ruhet dhe fuqizohet në vazhdimësi.
Anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane besojnë se zbatimi i mirëfilltë i kuadrit ligjor është faktori më i rëndësishëm në të bërit biznes, ndërsa themelimi i një Gjykate të veçantë Komerciale duhet të trajtohet me prioritet nga ana e qeverisë së re, duke u ofruar kështu bizneseve një mekanizëm më efikas për zgjidhje të kontesteve. Qeveria e Kosovës, duhet të garantojë trajtim të barabartë të të gjitha ndërmarrjeve dhe të gjithë sektorëve në vend, ndërsa parakusht për këtë është efikasiteti i trupave përgjegjës që mbrojnë konkurrencën, shmangia nga masat dhe vendimet që favorizojnë një sektor të caktuar, luftimi i ekonomisë joformale dhe çrrënjosja e korrupsionit.
Rregullimi i numrit të trupave të shumtë inspektuese, si dhe i kompetencave të tyre është jetik për shmangien e ndërhyrjeve brenda sektorit privat dhe lehtësimin e operimit të tyre. Baza ligjore që rregullon funksionimin e tregut, të brendshëm apo të jashtëm, duhet të jetë në linjë me dispozitat kushtetuese të vendit, si dhe me orientimin e vendit për një ekonomi të tregut, që është edhe në frymën e aranzhimeve ndërkombëtare të cilat i ka nënshkruar Kosova, përfshirë këtu edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Për të matur ndikimin dhe efikasitetin që iniciativat e reja ligjore mund të kenë në sektorin privat, por edhe në sferat e tjera të jetës, qeveria e re duhet të aplikojë në vazhdimësi Vlerësimin e Ndikimit Rregullativ, si praktikë instrumentale në shtetet e Bashkimit Evropian, e cila paraqet një sistem për vlerësimin kritik të efekteve pozitive dhe negative të akteve të propozuara, duke formuar kështu një metodë të politikëbërjes e cila bazohet në prova.
Qeveria e re duhet të avancojë në aplikimin e standardeve të harmonizuara të raportimit financiar, si për korporatat e mëdha ashtu edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që në kthim do të mundësonte efikasitet dhe transparencë më të madhe, por edhe mundësi më të madhe për identifikimin e nevojave të tregut, politikëbërje më të denjë që merr në konsideratë nevojat e sektorit privat, informimin më të mirë, rritje të partneriteteve të investitorëve të brendshëm me investitorët e jashtëm, si dhe ulje të mëtejme të kostos së kapitalit. Për këtë është e nevojshme edhe përpunimi periodik i të dhënave elektronike nga ana e Këshillit Kombëtar për Raportim Financiar.
Qeveria e re duhet të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e infrastrukturës transportuese në vend, ku theks i rëndësishëm duhet dhënë modernizimit dhe zgjerimit të rrjetit hekurudhor, por edhe funksionalizimit të Aeroportit të Gjakovës, ndërsa investimi në akset e reja rrugore duhet të pasojë studimet e kujdesshme të fizibilitetit. Kur bëhet fjalë për reduktimin e boshllëkut të energjisë në vend, qeveria e re duhet të mbështesë zgjerimin e kapaciteteve të gjenerimit të energjisë elektrike, por edhe diversifikimit të burimeve të energjisë në Kosovë. Në këtë aspekt, Oda Ekonomike Amerikane mbështet ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, por edhe promovimin dhe mbështetjen e iniciatiave për ndërtim të kapaciteteve energjetike nga burimet e ripërtërishme. I një rëndësie të madhe, është edhe ndërtimi i kapaciteteve për furnizim me gaz natyral, duke përfshirë këtu edhe kyçjen në linjat ndërkombëtare të furnizimit me gaz.
Vëmendje e rëndësishme nga qeveria e re duhet kushtuar zhvillimit të kapitalit njerëzor, duke filluar nga reformimi i sistemit të edukimit në të gjitha nivelet e tij, duke nisur nga ai parafillor, me qëllim të nxitjes së ndërmarrësisë në mesin e gjeneratave të ardhshme, por edhe përmirësimin e raportit ndërmjet kërkesës dhe ofertës në tregun e punës. Qeveria duhet të përmbahet nga veprimet që thellojnë hendekun e pagesave ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, përmes ngritjes së mëtejme të pagave në sektorin publik, duke e reduktuar më tej disponueshmërinë e fuqisë punëtore brenda sektorit privat, në pamundësi të ndjekjes së trendëve të pagesave në sektorin publik. Ndërsa, në anën tjetër, legjislacioni i punës duhet të jetë në linjë me nivelin e zhvillimit ekonomik të vendit, duke mos rënduar rregullimin e raporteve ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve.
Programet arsimore duhet të reflektojnë nevojat e tregut të punës dhe të industrive të ndryshme në Kosovë, duke ofruar zgjidhje për problemet e këtyre industrive, e në mënyrë të veçantë asaj prodhuese në Kosovë. Përgatitja e duhur e kuadrove të punës do të mbështeste edhe synimet e vendit për zhvillim të ekonomisë së bazuar në internet, ose ekonomisë digjitale, duke i ditur përfitimet që Kosova mund të ketë në këtë aspekt. Po ashtu, zhvillimi i kapitalit njerëzor përbënë edhe një komponentë të rëndësishme në implementimin e standardeve ndërkombëtare për raportimin financiar. Në mënyrë që të adresohen në mënyrë të mirëfilltë çështjet që lidhe me kapitalin njerëzor, bashkëpunimi i institucioneve arsimore, përfshirë këtu edhe ato të arsimit të lartë, me sektorin privat duhet të ngritet në nivelin më të lartë të mundshëm, duke u fokusuar në analizimin e gjendjes aktuale si dhe trendeve të ardhshme, por edhe në strukturimin e programeve të punës praktike, me qëllim që nxënësit dhe studentët në Kosovë, të bashkërendojnë njohuritë e tyre praktike me ato teorike. I rëndësishëm, në këtë aspekt, është edhe promovimi i edukimit profesional në mesin e të rinjve, por edhe orientimi i duhur në karrierë, që nga moshat më të hershme.
Përveç të mësipërmeve, anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, rekomandojnë edhe vazhdimin e reformave në sistemin fiskal, përfshirë këtu edhe aprovimin e shpejtë të ligjeve tatimore, siç është edhe ai për tatimin mbi vlerën e shtuar, të cilat do të sillnin lehtësime të reja për bizneset. Lehtësirat fiskale, përfshirë këtu edhe pushimet tatimore, duhet të janë në mbështetje të ndërmarrësve të rinj, e posaçërisht atyre të gjinisë femërore, si dhe të fuqizimit të kapaciteteve të kompanive nga fusha e ekonomisë digjitale, por edhe tërheqjen e investitorëve të jashtëm, e posaçërisht atyre që vendi synon t’i nxisë të investojnë në zonat ekonomike të karakterit të veçantë, siç është ajo Zona Amerikane në Gjakovë. Për ndërmarrësit e rinj, e sidomos për prodhuesit, është i nevojshëm edhe lehtësimi i mëtejmë i qasjes në financa, përmes zgjerimit të mbështetjes nga Fondi Kosovar për Garantimin Kreditor.
Krejt në fund, Oda Ekonomike Amerikane beson se qeveria e re, duhet të kompletojë bazën ligjore të vendit, në ato fusha ku për momentin ngulfatet inovacioni dhe avancimi biznesor, siç është rasti me transaksionet elektronike, duke u bazuar gjithnjë në strategjinë nacionale të zhvillimit ekonomik, e cila do të duhej hartuar që në ditët e para të mandatit të ri.
Pakistan: 82 njerëz të vrarë në tri ditë si pasojë e dhunës ...
“Krejt si unë po më duket”, Anisa shpreh pëlqim për Drilonin
Një tjetër ndryshim po vjen në versionet iOS dhe Android të ...
Shtetet në zhvillim thonë se 300 miliardë dollarët e ndarë p...
Si nisi karriera e Rovenës?
Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi ës...