Luftëtari amerikan i Shtetit Islamik përballet me burgim të përjetshëm

13:17 | 22 Shtator 2019
Arbresh.info

Një shtetas amerikan që u bashkua me grupin terrorist të Shtetit Islamik si snajper dhe përfundimisht u ngrit në gradën e emirit po përballet me akuza të reja dhe mundësinë e dënimit me burgim të përjetshëm.

Zyrtarët e Departamentit amerikan të Drejtësisë ngritën pesë akuza të reja kundër 43-vjeçarit Ruslan Maratovich Asainov nga Bruklini i Nju Jorkut të martën në një gjykatë federale.

Asainov akuzohet për komplot për të siguruar mbështetje materiale për Shtetin Islamik, sigurim të personelit, trajnimeve, ekspertizës dhe armëve, trajnim ushtarak nga Shteti Islamik, dhe pengim të drejtësisë.

Nëse dënohet për të gjitha akuzat shtesë, Asainov mund të përballet me burgim të përjetshëm. Sipas aktakuzës fillestare, Asainov do të ishte përballur, me më së shumti 20 vjet burg.

Zyrtarët amerikanë e riatdhesuan Asainovin në korrik, pak kohë pasi ai ishte kapur në Siri nga Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Asainov, një shtetas i natyralizuar që erdhi në Shtetet e Bashkaura nga Kazakistani, udhëtoi për në Siri në fund të vitit 2013, ku filloi luftimet me Shtetin Islamik si snajperist.

Përfundimisht, ai u bë një nga emirët e grupit terrorist, përgjegjës për krijimin e kampeve të trajnimit për rekrutët e Shtetit Islamik dhe për t’i mësuar ata se si të përdorin armët.

“Ne [Shteti Islamik] jemi organizata më e keqe terroriste në botë që ka ekzistuar ndonjëherë,” pohohet se ai kishte shkruajtur në një komunikim me një informator konfidencial të FBI-së, duke shtuar se ai dëshironte të vdiste në fushën e betejës.

Në mesazhe të tjera, zyrtarët thonë se Asainov foli për luftime në qytetet si Kobani, Deir el-Zour dhe Tabka.

Përveç mesazheve, zyrtarët amerikanë thanë në dokumentet e dorëzuara në gjykatë se disa nga provat kundër Asainovit bazohen në intervista me “të paktën një individ tjetër që siguroi mbështetje materiale dhe burime për Shtetin Islamik gjatë një pjese të së njëjtës periudhë kohore për të cilën akuzohet i pandehuri”.

Që nga rënia e kalifatit fizik të Shtetit Islamik në Siri në Mars, Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur rreth 2,000 luftëtarë të huaj nga më shumë se 50 vende në burgje të ndryshme. Për më tepër, forcat e opozitës kanë procesuar dhjetëra mijëra civilë të lidhur me Shtetin Islamik, përfshirë gra dhe fëmijë të luftëtarëve të huaj.

Nuk ka vlerësime zyrtare në lidhje me numrin e të burgosurve të Shtetit Islamik që janë shtetas ose banorë të Shteteve të Bashkuara. Por në komentet për Zërin e Amerikës në qershor të këtij viti, zyrtarët kurdë sugjeruan se më shumë amerikanë ndodheshin në paraburgim.

“Varet nga qeveria amerikane nëse dëshiron të tërheqë më shumë qytetarë të saj të mbajtur nga forcat tona”, tha Kamal Akif, një zëdhënës i administratës së udhëhequr nga kurdët në veri-lindje të Sirisë.

Një studim i pavarur nga Programi i Universitetit George Washington mbi ekstremizmin ka identifikuar 80 qytetarë amerikanë ose banorë që udhëtuan në Siri ose Irak për t’u bashkuar me grupet ekstremiste që nga viti 2011, 75 për qind kishin bindje që përputhen me ato të Shtetit Islamik.

Në përgjithësi, Shtetet e Bashkuara kanë riatdhesuar gjashtë qytetarë amerikanë nga Siria dhe Iraku për t’u përballur me akuza për anëtarësim në grupin Shteti Islamik.

Në gusht të këtij viti, Shtetet e Bashkuara riatdhesuan 23-vjeçarin Omer Kuzu, një shtetas i dyfishtë amerikan dhe turk, i cili u largua nga Shtetete Bashkuara për t’u bashkuar me grupin terrorist si adoleshent.

Katër shtetas të tjerë amerikanë, tre burra dhe një grua, që u larguan nga vendi për t’iu bashkuar grupit Shteti Islamik, gjithashtu u riatdhesuan për t’u përballur me drejtësinë.

Mohamad Jamal Khweis nga qyteti i Aleksandrias në Virxhinia, i cili u riatdhesua nga Iraku në qershor të vitit 2017, tashmë është dënuar.

Dy gra dhe gjashtë fëmijët e tyre u riatdhesuan në Shtetet e Bashkuara në qershor, megjithëse ndaj tyre nuk janë ngritur akuzua kriminale.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se ata po vazhdojnë të punojnë për të verifikuar shtetësinë amerikane të individëve në zonën e konfliktit.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkaura vazhdimisht kanë punuar me vendet e përfshira në luftën kundër Shtetit Islamik që të riatdhesojnë shtetasit e tyre dhe t’i ndjekin penalisht ata, me shkallë të ndryshme suksesi.

Zyrtarët amerikanë të antiterrorizmit vlerësojnë se më shumë se 45,000 luftëtarë të huaj shkuan në Siri dhe Irak pas fillimit të luftës civile Siriane, përfshirë 8,000 vetë nga vendet perëndimore.

Një vlerësim i pavarur nga studiuesit në Qendrën Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizmit, i sapo botuar nga Qendra për Luftimin e Terrorizmit (CTC), vlerëson se Shteti Islamik ende ka pothuajse 53,000 anëtarë të huaj në radhët e tij në Siri dhe Irak, duke përfshirë më shumë se 6,900 gra të huaja dhe deri në 6,600 fëmijë të huaj./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme