Google ADS

Xhaçka jep lajmin e mirë: Akademia e FA do të akreditohet si një institucion i arsimit të lartë

10:10 | 20 Shtator 2019
Arbresh.info

Këshilli i Ministrave pritet të miratojë së shpejti statusin e veçantë për Akademinë e Forcave të Armatosura, duke i hapur kështu rrugën ndryshimit rrënjësor të sistemit arsimor ushtarak në vendin tonë.

Ky status, mundëson jo vetëm hapjen e studimeve të ciklit të parë bachelor, por edhe akreditimin e plotë të AFA dhe programeve të tij akademike.

Lajmin ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e ndau me studentë e pedagogë të Akademisë së Forcave të Armatosura në nisje të vitit të ri akademik 2019 – 2020, ku e ftuar ishte edhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini.

“Falë këtij transformimi, që në vitet që do të vijnë do të duhet ta çojmë edhe më tej, në Forcat e Armatosura po instalohet sot një sistem i mirëfilltë meritokracie dhe një nivel profesionalizmi që deri pak vite më parë ishte i paimagjinueshëm. Efektivët tanë tonë janë sot në gjendje të marrin pjesë në misione kudo ku shfaqet nevoja, për të kontribuar për sigurinë tonë kolektive, duke u angazhuar si të barabartë, krah për krah kolegëve të tyre në disa prej ushtrive më moderne e profesioniste. Kjo akademi ka sot një rol vërtet shumë të rëndësishëm strategjik për transformimin e ushtrisë shqiptare.

Forca e Armatosur që po ndërtojmë sot është në fakt shumë e ndryshme nga ajo që trashëguam. Aty ku dikur kishim një forcë të bazuar tek rekrutimi i detyruar, sot kemi një forcë më të vogël, profesioniste e vullnetare. E mbi të gjitha kemi një forcë që duhet të arrijë standardet e NATO që janë padyshim standardet më të larta që duhet të respektojë një forcë ushtarake kudo në botë”, tha ministrja e Mbrojtjes në fjalën e saj.

Për ministren Shahini, vendimi i ardhshëm i Këshillit të Ministrave hap një faqe të re për arsimimin e ushtarakëve shqiptarë.

“Ky nuk është një institucion i zakonshëm i arsimit të lartë, ndaj ne jemi duke punuar fort bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes që t’i japim një status të veçantë Akademisë së Forcave të Armatosura, që stafi akademik të trajtohet i njëjtë si institucionet e tjera të arsimit të lartë”, nënvizoi ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Për vitin e 11 radhazi, Akademia e Forcave të Armatosura ka hapur dyer për studentë nga disa vende të rajonit. Për vitin 2019-2020 do të ulen në auditorë 182 ushtarakë nga Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Gjeorgjia dhe Kosova./bw

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme